NGA SPARTAK KOKA

“News24” dhe “BalkanWeb” publikojnë videon, që dëshmon rrëmbimin e 48-vjeçarit Enver Stafuka mbrëmjen e 8 shkurtit, në qendër të qytetit të Fushë-Krujës, fati i të cilit që prej asaj dite nuk dihet. Enver Stafuka, me 13 nëntor 2013, së bashku me Gentjan Bejtjan, u shpall i pafajshëm për akuzën se ishte autori i vjedhjes së mjetit që u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj.

Në video evidentohen 4 persona të veshur me uniformë policie, me jelek me mbishkrimin “Policia” dhe të maskuar. Rreth orës 19:47 minuta të datës 8 shkurt 2015, Enver Stafuka del nga një lokal, i cili ndodhet vetëm 100 metra larg Komisariatit të Policisë së Fushë-Krujës dhe tenton të hipë në mjetin e tij. Në këtë moment, tre persona nuk e lejojnë të futet në makinë dhe më pas e prangosin. Menjëherë afrohet një automjet tip “Golf” me xhama të zinj, që drejtohet nga personi i katërt dhe që me dyer të hapura, kthen makinën në drejtim të rrugës për në Tiranë. Enver Stafuka i prangosur futet në pjesën e pasme të makinës, e cila largohet me shpejtësi.

Disa ditë pas rrëmbimit, familja e Enver Stafukës ka hapur dyert dhe pret ngushëllimet, pa ditur fatin e të birit. Familja kërkon nga institucionet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen dhe t’iu japin përgjigje se çfarë ka ndodhur me jetën e 48-vjecarit. Sipas tyre, është e papranueshme neglizhenca dhe mosveprimet e policisë për të identifikuar autorët.

Nëna e të rrëmbyerit i bën apel, Ministrit të Brendshëm, të vlerësojë ngjarjen e djalit të saj sië po vlerëson sulmet ndaj familjes së babait të tij, siç ishte shpërthimi tek farmacia e Bashkim Tahirit.

Emri i Stafukës u bë i njohur në rastin e vrasjes së kryekomisar Dritan Lamaj. Enver Stafuka pas 6 muajsh burg me 13 nëntor 2013, së bashku me Gentjan Bejtjan, u shpall i pafajshëm për akuzën se ishte autori i vjedhjes së mjetit që u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb