News24 dhe BalkanWeb kanë siguruar pamjet ekskluzive, kur makina në qytetin e Mannheim të Gjermanisë ecën me shpejtësi tepër të lartë dhe shkon drejt turmës së njerëzve.
Siç shikohet nga pamjet e siguruara nga gazetari Enrik Mehmeti, automjeti lëviz me shpejtësi tepër të lartë dhe tërheq vëmendjen e qytetarëve. Pikërisht ky është momenti, kur makina po shkon drejt turmës së njerëzve, duke vrarë 1 person dhe plagosur 25 të tjerë.
Pamjet janë fiksuar nga kamerat e një biznesi në qytetin e Mannheim.
Mediat lokale në qytetin jugperëndimor raportuan se dëshmitarët panë një trup të pajetë, të mbuluar me një çarçaf. Shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve. Policia mësohet se ka arrestuar autorin e sulmit, ndonëse për të nuk dihet ende asgjë.
Ngjarja ndodhi gjatë festimit të karnavaleve në qendër të qytetit gjerman, eveniment mjaft i vizituar në shumë qytete të Gjermanisë. Policia po heton ngjarjen dhe ka kërkuar prej njerëzve që të shmangin qendrën e qytetit.
Disa sulme në Gjermani në muajt e fundit
Sulmi i së hënës (03.03.) të kujton një seri sulmesh në Gjermani të kryera në javët dhe muajt e fundit, shkruan DW. Më 13 shkurt, një burrë iu sul me një automjet një demonstrate në Mynih. Në sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg në dhjetor, gjashtë persona u vranë dhe rreth 300 u plagosën, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Sulmues ishte një mjek nga Arabia Saudite, që jetonte në Saksoni-Anhalt, e kishte ardhur në Gjermani nga viti 2006. Ai drejtoi një makinë në tregun e Krishtlindjeve në qytetin e vjetër të Magdeburgut.
(BalkanWeb)