NGA ERJON SKËNDAJ*
TIRANË- Mjaftuan vetëm tre javë nga publikimi në News24 që lotët e Kristit të vogël tek i lutej kryeministrit për ti shpëtuar jetën të arrinin të depërtonin brenda çdo zemre shqiptare aq sa të mund edhe të superohej shuma e kërkuar 150 mijë euro që nevojitet për transplantin e mëlçisë së fëmijës. Shuma e mbledhur në llogarinë e vogëlushit kalon 165 mijë euro dhe plotëson më së miri koston e transplantit.

Pavarësisht këtij fakti rrëqethës që dëshmon humanizmin e qytetarëve shqiptarë këta të fundit nuk kanë reshtur por kanë vijuar edhe sot të kontribuojnë me shuma të konsiderueshme financiare. Nismës i janë bashkuar edhe studentë të Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Një ndihmë për Kristin ka mbërritur dhe nga shkollat dhe kopshtet e rrethit të Vlorës ku nëpërmjet një iniciative të Drejtorisë Arsimore, në rreth 30 shkolla është arritur të mblidhet një shumë prej 1 milion e 800 mijë lekësh të vjetra të cilat janë depozituar në llogarinë e hapur enkas për Kristin. Shumë të tjerë kanë derdhur shuma parash në llogarinë e hapur në Bankën Credins duke bërë që vetëm gjatë ditës së sotme të mund të grumbullohen mbi 7 mijë euro. Në këtë mënyrë përfundon me sukses nisma humane për shpëtimin e jetës së 10-vjeçarit nga Pogradeci dhe pritet vetëm operacioni që Kristi t’i rikthehet jetës normale, lojërave dhe shoqërisë.

Me këtë rast News24 falënderon të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve që me një zemër të madhe si asnjëherë më parë kontribuuan financiarisht për ti dhënë jetë fëmijës së sëmurë.

Në harkun kohor të një viti që Kristi Maze qëndroi i shtruar në pediatrinë e QSUT me shpresën se do t’i mundësohej transplanti i mëlçisë jashtë vendit, Ministria e Shëndetësisë nuk ndërmori asnjë hap konkret për ti ardhur në ndihmë vogëlushit, veçanërisht pas marrjes së përgjigjes negative të marrë nga Turqia.

Për më tepër rasti i Kristi Mazes nxori në pah edhe një fakt të panjohur deri më sot, sipas të cilit vetë Ministria e Shëndetësisë rezulton debitore në shuma të mëdha ndaj spitalit “Papa Xhovani 23” në Bergamo për mos likuidim të pacientëve shqiptarë të kuruar më herët në këtë spital.

Ky fakt është pohuar nga vetë shefi i shërbimit të pediatrisë në këtë spital si dhe nga drejtues të lartë të tij. Jashtë kamerës mjekët kanë pohuar për News24 se nuk do të pranojnë pacientë të tjerë shqiptarë që vijnë pa asnjë kriter apo përmes rekomandimeve zyrtare të palës shqiptare nëse paraprakisht Ministria e Shëndetësisë shqiptare nuk do të likuidojë detyrimet financiare të pashlyera.

Ky fakt pohohet edhe nga drejtues të një shoqate shqiptare që operon në zonën e Bergamos, e cila duke shfrytëzuar hapësirat ligjore ka realizuar falas 4 transplante tek fëmijë të ardhur nga Shqipëria.

Gjatë bisedave me mjekët e Kristit mësuam se nga Ministria e Shëndetësisë shqiptare  kishte mbërritur pranë spitalit të Bergamos një e-mail që mban datën 11 nëntor, 12 ditë pas nisjes në News24 të fushatës “Të shpëtojmë vogëlushin Kristi”. Përmes dokumentit elektronik për herë të parë Ministria e Shëndetësisë i drejtohej spitalit të Bergamos se ishte e gatshme të paguante të plotë koston e transplantit të mëlçisë së fëmijës nga Shqipëria, Kristi Maze, veprim që do të duhej të kryhej një vit më parë nisur dhe nga deklaratat e përsëritura të Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj se moskryerja deri më sot e transplantit të fëmijës nuk ishte çështje lekësh.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: