Sonte, në orën 21:00, gjatë emisionit Open në News24, do të shpallen rezultatet e sondazhit të parë parazgjedhor, të realizuar nga kompania prestigjioze italiane Notosondaggi.

Ky sondazh iu paraprin dy të tjerëve para zgjedhjeve dhe një exit poll-i në 11 maj.

Rezultatet do të prezantohen nga Antonio Noto, ekspert në fushën e sondazheve politike, themelues i kompanisë Notosondaggi, figurë e njohur në analizën e prirjeve elektorale në Itali dhe jashtë saj, me reputacion për saktësinë dhe profesionalizmin.

Kompania italiane Notosondaggi ka ndjekur një metodologji të avancuar dhe transparente, për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve.
Sondazhi është zhvilluar përmes një kampioni përfaqësues të qytetarëve nga të gjitha zonat e vendit dhe grupmoshat. Pyetjet e drejtuara prekin çështjet më të ndjeshme dhe aktuale për shoqërinë shqiptare, si drejtësia, besimi tek institucionet, ekonomia, papunësia, emigracioni, si dhe orientimet politike për zgjedhjet e ardhshme. Vëmendje e veçantë i është kushtuar perceptimit të publikut ndaj figurave kryesore politike dhe partive në garë.

Rezultatet do të komentohen në studio nga analistë të njohur, të cilët do të sjellin interpretime dhe skenarë mbi prirjet e votuesve dhe zhvillimet e pritshme politike.

Ky bashkëpunim i News24 me Notosondaggi synon të ofrojë një pasqyrë sa më të qartë dhe të besueshme të klimës elektorale në vend, në prag të një procesi zgjedhor me rëndësi të madhe.

Ndiqni sonte, ora 21:00, emisionin Open në News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb