Partizani luan në “Niko Dovana” me Flamurtarin sot, por më shumë sesa ndeshja, ajo që pritet me mjaft interes është sjellja e tifozëve të kuq. Duke ditur raportet e krisura dhe shkëputjen e marrëdhënieve me klubin, prezenca e tifozëve të Partizanit në shkallët e stadiumit pritet të jetë e vakët, krejt ndryshe nga 3 javë më parë, kur ndaj Skënderbeut, po në Durrës, ishin rreth 4 mijë tifozë të Partizanit. Ai që kërkon të “qepë” situatën është kapiteni Nderim Nexhipi, që e shikon si thelbësore praninë e ultrasve të kuq. “Pa ndihmën e tifozëve ne nuk mund të shkojmë drejt titullit kampion. Mbështetja e tyre në këtë moment është e domosdoshme dhe unë kam besim të plotë se së bashku do t’ia dalim”. Flamurtari, pengesa e radhës në kampionat për 15 herë kampionët e Shqipërisë, është e vetmja skuadër e Superiores ndaj të cilës Partizani nuk e ka provuar ende shijen e fitores, mirëpo Nexhipi është i bindur se kjo e dhënë do të ndryshojë në favor të të kuqve. “E presim Flamurtarin me bindjen e plotë se do të fitojmë. Nuk kemi mundur ta mposhtim këtë kundërshtar në dy sfidat e para, por besoj se ka ardhur momenti që ta ndryshojmë këtë statistikë”.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: