Sulmuesi brazilian Nejmar i ka dhënë lamtumirën klubit të Al Hilal në Arabinë Saudite, për t’u bërë gati për kthimin e tij te Santosi. Ai ka hequr dorë nga një kontratë e jashtëzakonshme, duke i “kursyer” arabëve rreth 30 milionë dollarë nga marrëveshja që kishin me të deri në fundin e sezonit.

Megjithatë, Nejmar nuk ka pse qahet, pasi ka fituar shuma marramendëse nga akordi që kishte nënshkruar me ta, ku për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, luajti me pikatore. Bilanci i tij me Al Hilal ishte 7 ndeshje, për një total prej 428 minutash, në të cilat regjistroi 1 gol dhe 3 asiste.

Me një rrogë prej 175 milionë dollarësh të paguar nga sheikët, ai ka pranuar që të ndërpresë kontratën dhe nuk do t’i paguhen 65 milionë dollarët e fundit që i detyrohej klubi, por “vetëm” 35 milionë.

Sipas përllogaritjeve, Nejmar ka përfituar kësisoj 43,75 milionë dollarë për çdo kontribut goli, duke shënuar vetë apo dhënë asist me fanellën e Al Hilal. Ndërkohë, çdo minutë e tij në fushën e lojës i ka kushtuar klubit saudit 408878 dollarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb