Prej 1 janarit 2025, Bashkia e Tiranës do të bëjë subvencionimin 100% të biletës së abonesë për pensionistët, siç bën prej vitesh për studentët. Të gjithë personat mbi 60 vjeç, gratë dhe mbi 65 vjeç, burrat, banues në Bashkinë e Tiranë, tani do të udhëtojnë falas, njësoj si studentët e regjistruar në institucionet arsimore të larta publike. Kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë pensionistëve që të paraqiten në njësitë e tyre administrative me një kartë identiteti, për t’u regjistruar në mëyrë që të mund të marrin falas abonenë e përgjithshme.

“Me këtë buxhet ne bëjmë subvencionimin 100% të abonesë së përgjithshme për pensionistët. Nuk mund të japim një shifër të saktë sepse nuk e dimë sa pensionistë do ta përdorin shërbimin, pasi do të jetë në varësi të frekuencës së marrjes së shërbimit. Ne do të bëjmë një raportim çdo muaj, pra sa pensionistë e kanë marrë si shërbim për të parë edhe shifrën e saktë të subvencionit. Ndërkohë, siç e dini, Bashkia e Tiranës tashmë e subvencionon transportin publik edhe për pjesën tjetër të qytetarëve; pra, bileta me analizën financiare është 50 lek, por 10 lek i paguan Bashkia e Tiranës, pikërisht për të mos u shtuar barrën qytetarëve”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb