Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi rritjen e pagës minimale nga 1 prilli në 780 euro. Siç shpjegoi ai, kjo është një rritje prej 9.4%, rritja e tretë radhazi gjatë qeverisjes së Demokracisë së Re.

Ai ka kujtuar se në vitin 2019 paga minimale ishte 650 euro “që do të thotë se që atëherë janë shtuar edhe tre paga shtesë për 600 mijë punëtorë”.

“Nuk kam iluzione, e di që në vendin tonë rrogat janë ende të ulëta dhe ato janë të shtypura më shumë nga inflacioni i importuar. E dëgjoj gjatë gjithë kohës sidomos nga të rinjtë dhe të rejat që e kanë të vështirë”, shtoi kryeministri, “ Kjo rritje e re padyshim nuk e zgjidh problemin, por është një lehtësim i konsiderueshëm dhe mbi të gjitha tregon synimin tonë për të rritur pagat si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Ndër të tjera Kyriakos Mitsotakis tha: “Dua të theksoj se shuma përfundimtare që është rënë dakord është në kufirin e sipërm të mundësive tona, megjithatë është brenda mundësive të bizneseve që dua të kujtoj që u mbështetën nga qeveria gjatë pandemisë”, sqaroi kryeministri në takimin që pati me ministrin e Punës Kostis Hatzidakis.

“Në të njëjtën kohë, dua të theksoj se ekonomia greke është në një zhvillim dinamik, papunësia është në rënie të vazhdueshme, taksat janë ende në rënie. Prandaj tani është koha për të mbështetur punëtorët me një rritje të guximshme të pagës bazë sepse dividenti i rritjes duhet të përthithet me drejtësi nga të gjithë ” , përfundoi kryeministri në njoftimin e tij për rritjen e pagës minimale që do të hyjë në fuqi nga 1 prilli. Vihet re se në datën 11 do të ketë njoftime nga Kostis Hatzidakis i cili do të japë më shumë detaje për rritjen e pagës minimale dhe përfitimet që ajo sjell.

(Protothema/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb