Të paktën 10,457 migrantë vdiqën ose u zhdukën ndërsa përpiqeshin të arrinin në Spanjë përmes detit në vitin 2024, tha një OJQ të enjten. Kjo shifër është 58% më e lartë se viti i kaluar dhe më e larta që prejt vitit 2007.
Rritja përfshin 1538 fëmijë dhe 421 gra, tha grupi i të drejtave të emigrantëve Caminando Fronteras (Hapat e Kufirit) në një raport që mbulon periudhën nga 1 janari deri më 5 dhjetor 2024.
Referuar raportit, kanë humbur jetën 30 persona në ditë, nga rreth 18 në 2023.
Shumica e viktimave, 9757 ndodhën në rrugën e migrimit të Atlantikut, nga Afrika në Ishujt Kanarie të Spanjës, e cila ka marrë një numër rekord migrantësh për të dytin vit radhazi.
Shtatë varka me emigrantë zbarkuan në arkipelag në ditën e Krishtlindjes, bëri të ditur shërbimi i shpëtimit detar i Spanjës.
Në pikën e tyre më të afërt, Kanarinët shtrihen 100 kilometra (60 milje) nga brigjet e Afrikës së Veriut. Rruga më e shkurtër është midis qytetit bregdetar të Tarfaya në Marokun jugor dhe ishullit Kanarie të Fuerteventura.
Rruga e Atlantikut është veçanërisht vdekjeprurëse, pasi anijet e mbushura me njerëz, janë të dobëta për të përballuar rrymat e forta të oqeanit. Disa varka nisen nga plazhet afrikane deri në 1000 kilometra (620 milje) nga Kanariet.
Organizata mbledh të dhënat nga familjet e migrantëve dhe statistikat zyrtare të atyre që janë shpëtuar.
Muajt e prillit dhe majit ishin më vdekjeprurësit, sipas raportit.
Caminando Fronteras gjithashtu theksoi një “rritje të madhe” në vitin 2024 të anijeve që nisen nga Mauritania, e cila, sipas saj, është bërë pika kryesore e nisjes për në Ishujt Kanarie.
Në shkurt, Spanja premtoi 210 milionë euro (rreth 218 milionë dollarë) ndihmë për Mauritaninë për të ndihmuar në luftimin e trafikantëve të qenieve njerëzore dhe parandalimin e nisjes së anijeve.
Ministria e Brendshme e Spanjës njoftoi se më shumë se 57,700 migrantë arritën në Spanjë me anije deri më 15 dhjetor të këtij viti, një rritje prej rreth 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shumica e tyre arritën përmes rrugës së Atlantikut.