TIRANË

Ndonëse është në arrati dhe me një urdhër arresti nga pas, Agim Kajmaku kërkon lirinë. Ish-kreu i bashkisë Vorë i shkarkuar nga KQZ pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur nga gjykata. Masa u dha në mungesë, ndërsa policia vijon ende kërkimet për gjetjen e ish-zyrtarit socialist.

Më 12 nëntor Gjykata e Tiranës vendosi arrest në burg në mungesë për ish-kreun e Bashkisë Vorë, një ditë pasi më parë prokuroria lëshoi urdhër arrestin për të.

Po kështu mësohet se Gjykata urdhëroi kontrollin e banesës së Kajmakut për të gjetur prova që vërtetojnë shpërdorimin e detyrës.

Kajmaku i zgjedhur kryetar i Bashkisë Vorë më 30 qershor, u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi.

Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 te Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.

Mësohet se pas vendimit të KQZ, Kajmaku ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë, megjithëse edhe vetë ishte zyrtarisht i shkarkuar si titullar i bashkisë Vorë.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb