Pas dy mitingjeve të kryeministrit Edi Rama me diasporen shqiptare ne Greqi dhe Itali, përtej komenteve dhe analizave nga me te ndryshmet dhe të nevojshmet ne nje demokraci, përtej komplimentave dhe kritikave, një fakt rezulton kokëfortë: foli Kryeministri por foli gjithashtu dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Para nisjes së këtij turneu, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi duke e ndjerë kurthin ku mund t’i zhytej shefi e gjeti të nevojshëm të bëjë këtë sqarim me gazetarët: “Nuk ka asnjë tendencë politike. Nuk janë aktivitete nën logon e PS. Por aktivitete të kryeministrit me Diasporën”.

Me siguri që Klosi nuk do ta kish bërë atë deklaratë të parakohshme nëse Rama do ja kish dhënë të lexonte fjalimet që do mbante. Edhe në Athinë ashtu edhe në Milano ato qenë fjalime thellësisht politike ndryshe nga ç’pretendoi Klosi i cili vetë hipi në tribunë dhe foli ndërkohë që nuk ka status ministri por partiaku. Ato qenë fjalime siç e pamë të gjithë të mbushura me propagandë për partinë ne fuqi dhe anatemime për Opozitën e “non gratas” siç e quan Rama. Në çdo vend tjetër në Perëndim ky skandal i përdorimit të parave të të gjithë kombit për të lavdëruar partinë e një pjese të kombit dhe sharë partinë e pjesës tjetër, do t’i kushtonte tepër shtrenjtë financiarisht dhe politikisht Kryeministrit.

Jo shumë kohë më parë, kjo metodë e shëmtuar dhe hileqare e përdorimit nga i gjithëpushtetshmi të parasë publike për interes partiak, i kushtoi ish-Kryeministrit të Bosnje-Hercegovinës futjen nga SHBA-të në listën non grata. Denoncimi i kësaj metode dhe ndërgjegjësimi i opinionit se në demokraci ka limite, është objekt i ketij shkrimi.

Përvoja ndërkombëtare
Në titulin e këtij shkrimi emri i Edi Ramës mund të zëvendësohej me atë të një udhëheqësi tjetër në Europë për të nënvizuar rëndësinë që mbart kjo pyetje në çdo demokraci: ku është kufiri ndarës kur një udhëheqës përzien aktivitetin shtetëror me atë partiak? Sigurisht, asnjë udhëheqës në demokraci nuk e ka të ndaluar që të bëjë propagandë, politikë dhe fushatë për partinë e tij.

Fundi i fundit, kjo është mënyra e vetme për t’u zgjedhur dhe rizgjedhur. Por një kufi ndarës ekziston në funksion të financimit që përdoret. Kur është aktivitet partiak paguan partia, kur është aktivitet shtetëror paguan shteti. Në Shqipëri, çuditërisht kjo çështje themelore për demokracinë nuk është ngritur në rangun e një prioriteti kombëtar nga institucionet e pavarura si KQZ dhe KLSH, apo nga mediat, biles as dhe nga opinioni publik apo nga partitë e Opozitës. Kjo heshtje, kjo tabu, apo ky kompleks me këtë çështje nëse a duhet të paguajë Shteti që Kryeministri të bëjë propagandë për partinë e tij tregon një mendësi kombëtare ku kolektivisht na duket normale që udhëheqesi ta përdorë pushtetin për të ruajtur pushtetin. Eshtë e njëjta mendësi e cila toleron që një media shtetërore si RTSH të menaxhohet si të ishte një media partiake.

Por kjo çështje e mosfinancimit të një partie me paratë e të gjithëve nuk lihet aspak në heshtje në Perëndim dhe mbetet gjithnjë aktuale megjithë sundimin e gjatë aty të demokracisë që mund të krijonte iluzionin e rremë se këto gjëra s’ka sesi ndodhin më. Në Perëndim nuk ka tabu nëse ekziston dyshimi se një shtetar e përdor Shtetin e tij për Pushtetin e tij. Shembulli më i freskët dhe më i spikatur është ai në Francën e “Lumierave” në këto ditë të ethshme të fushatës elektorale për zgjedhjet europiane. Ja një titull midis shumë të tjerësh marrë nga e përditshmja me reputacion le Figaro e datës 24 prill: “Zgjedhjet Europiane: Macron në zonën gri të përdorimit të mjeteve shtetërore për llogari të fushatës”.

Me pak fjalë, Figaro, ashtu si dhe opozita e kritikon presidentin francez për një mpleksje të veprimtarisë së tij si President që duhet të jetë në shërbim të të gjithë francezëve me atë si “shef” shpirtëror i partisë në pushtet të cilën e ka themeluar vetë. Mjaftoi një fotografi e publikuar nga Elizeja ku shfaqej Macroni me kandidaten e partisë së tij për fushaten e europianeve, Valeria Hayer, që të ndizej polemika përse taksapaguesi duhet të përballoje rroga për nëpunës të Presidencës që kalojnë kohën duke botuar fotografi fushate në favor të partisë në fuqi. Aq e ndjeshme është në demokracitë perëndimore kjo çështje e mospërdorimit të mjeteve publike për nevoja partiake sa nuk hezitohet të hapen edhe proçese gjyqësore pénale për të dekurajuar manovra të tilla. Shembull domethënës janë procese kundra një sërë eurodeputetësh që përdorin mjetet e Parlamentit Europian, për shembull sekretarët që ata kanë në dispozicion në Bruksel a Strasburg, të paguar nga taksapaguesi europian, por që shfrytëzohen për veprimtari politike në vendet e tyre të origjinës.

Dy nga politikanët më të lartë francezë kanë patur ose janë ende në procese të tilla gjyqësore, siç është rasti i Marina Le Pen që udhëheq forcën më të madhe politike opozitare në Francë, apo i Fransua Bajru që udhëheq partinë më të madhe aleate në koalicion qeveritar me atë të Makronit. Vetë Presidenti francez u pa pak si me dyshim edhe gjatë fjalimit të fundit historik mbi Europën në Strasburg duke shkaktuar një fillim polemike nëse ky fjalim kishte për qëllim aneks t’i shtonte disa pikë në sondazhe partisë së tij për zgjedhjet europiane.

Përballe kësaj tablloje kaq të rreptë që Europa nuk bën shaka kur bëhet fjalë nëse paratë e taksapaguesit mund të përdoren në interes të partisë në fuqi, Shqipëria shfaqet si e “shturrur”. Një pikë kulminante në këtë përbuzje të parimit të mos ngatërrimit të taksapaguesit me militantin partiak u arrit siç u pa në fushatën e zgjedhjeve të fundit lokale. Kërcënimi i Ramës ndaj popullit të Shkodrës se po mos të votonte për PS-në qyteti nuk do të merrte investime nga qeveria u gjend biles dhe në qendër të raportit të OSBE/ODIHR si një ngjarje shokuese. Në Perëndim ajo deklaratë e Kryeministrit do të ishte kthyer në një skandal politik dhe do të kishte hyre edhe në manualet e të drejtes publike si ilustrim për një shkarje që nuk duhet toleruar nëse duam një demokraci imune.

Propagandë qeveritare në diasporë në favor të PS-së, por fondet s’dalin nga arka e PS-së…
Zgjedhje të reja po afrojnë në Shqipëri dhe Kryeministri po tregon se ai jo vetëm që nuk ka nxjerrë mësim nga ai sulm ndaj demokracisë në Shkodër vitin e kaluar, por ai po thyen rekorde të reja në abuzimin me mjetet publike në favor të partisë së tij në pushtet. A mund të perdoren taksat e të gjithë shqiptarëve për interes të një grupi të vetëm , atë tij të partisë socialiste të Kryeministrit ? Kjo shfaqje e trishtë e porozitetit gjigand midis arkës së Rilindjes dhe asaj të Shtetit u pa në mitingun me diasporën në Athinë në 12 maj. E njëjta shfaqje u ripërsërit edhe në mitingun me diasporën në Milano këtë 26 maj. Që Edi Rama të mburrë në këto mitingje me superlativa arritjet e PS-së që i cilëson si madhështore kjo nuk është shokuese sepse kush më mirë se kryetari i PS-së mund ta mbrojë PS-në.

Që në këto mitingje ai të anatemojë me fjalorin më agresiv apo denigrues Opozitën shqiptare, dhe kjo është e pritshme sepse në luftën darviniane për egzistencë në politike pak vend ka për elegancë verbale. Por ajo që nuk mund të pranohet është fjalimi partiak i Ramës nën petkun e Kryeminstrit. Ajo që nuk mund të tolerohet është marrja me qira e sallës në Athinë, apo Milano, apo Londër me paratë e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që votojnë për PD-në. Pse taksapaguesi simpatizant i opozitës duhet të durojë që nga xhepi i tij t’i mundësohet kryeministrit të bëjë propagandë nga tribuna e Athinës dhe e Milanos për partinë në pushtet? Pse ky taksapagues “pëdëist” duhet të durojë që me taksën e tij të shahet në vend të huaj partia e tij? Askush në Perëndim nuk do ta kishte toleruar një gjë të tillë. Pse një taksapagues që nuk voton për partinë në pushtet duhet të përballojë shpenzime për karburantin, biletat e avionit, hotelet, drekat, darkat e kryeministrit dhe shpurës së tij duke përfshirë ministra dhe administratë që zhvendosen si një masë e vetme metropoleve europiane me paratë e të gjthë shqiptarëve për të bërë propagandë për një parti që përfaqëson vetëm një pjesë të shqiptarëve?

Në këto harxhe nuk llogaritet po ashtu as koha e konsumuar nga shtetarët dhe nëpunësit e administratës në organizimin e këtyre mitingjeve marrë nga koha e tyre normale e punës që u paguhet nga taksapaguesit për punë shtetërore dhe jo partiake. Sikur një ministër i vetëm në Perëndim të kish bëre këtë mpleksje perverse midis harxheve shtetërore dhe atyre partiake, do të ishte bërë “nami”. Ashtu siç u bë nami për një ish – ministre gjermane që guxoi dhe shkoi me makinën shtetërore në vendin e pushimeve në Spanjë pa rimbursuar harxhet. Ndërsa në Shqipëri kur bëhet fjala jo për një, por për batalione ministrash me Kryeministrin në krye, që nisen për fushatë me paratë e Shtetit, shoqëruar për më tepër nga batalione nëpunësish, problemi kryesor pikërisht aty qëndron se nuk bëhet fjalë fare për këtë dhe se nuk I kërkohet llpogari qeverisë nga parlamenti.

Në fund, të mos habitemi kur konstatojmë se zgjedhjet në Shqipëri nuk ngjasojnë me asnjë palë zgjedhje në vendet e tjera të kontintentit, përveç Serbisë. Zgjedhjet në Shqipëri fitohen dhe padrejtësisht ose me paratë e taksapaguesve siç kuptojmë nga raportet e OSBE/ODIHR, ose me paratë e “drogës” siç kuptojmë nga përgjimet e shërbimeve të huaja në Sky Ecc. Dhe së fundmi një mesazh për zotin Celibashi dhe institucionin e KQZ-së që ai drejton: të jesh i pavarur nuk do të thotë të jesh pa sy dhe pa vesh.

A mban shënime të vlefshme ai mbi këto shtrembërime të vazhdueshme të demokracisë për shkak të financimit të tërthortë dhe të padrejtë të partisë në fuqi nga Shteti ? Nëse Edi Rama do e mundësojë më në fund votën e diasporës, a do t’i llogarisë KQZ-ja kostet e këtyre mitingjeve të qeverisë shqiptare në Europë si pjese e buxhetit të PS-se dhe t’ja zvogëlojë si pasojë financimin publik PS-së? Përgjigjen lapidare mbi këtë heshtje fajtore të organeve kompetente në Shqipëri e gjejmë tek ky koment marrë nga raporti i fundit i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri: “Ligji parashikon një gamë të gjerë sanksionesh për shkeljet e financimit politik, duke përfshirë gjoba nga 50,000 deri në 5,000,000 lekë, konfiskim të fondeve publike dhe pezullim të financimit publik deri në pesë vjet. Asnjë bashkëbisedues konsultuar nga ODIHR nuk ngriti shqetësim sesa forcë reale kanë këto sanksione dhe sa efektive janë”.

Përkthyer në shqip, duhen masa më të rrepta që t’a dekurajojnë politikanin shqiptar të sillet me fondet publike si ai kapadaiu që “korr dhe shin sikur të ishte në mall të babait”...

Ndaj, votë për diasporë po, por në frymën e vlerave të atyre demokracive ku diaspora jeton, punon dhe krijon. Në asnjë nga këto vende nuk tolerohet që një shtetar të bëjë propagandë për partinë e tij me fondet e shtetit të tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: