Forma dhe pritshmëritë e Kombëtares janë rritur ndjeshëm. Dhe një prej faktorëve është forma e mirë e futbollistëve që bëjnë pjesë në kontingjentin e Kombëtares. Pa përmendur elementet e rinj dhe numrin e madh të shqiptarëve nëpër botë, kontingjenti aktual i futbollistëve të Kombëtares ka disa futbollistë që janë në krye të kampionateve respektive. Gazeta “Panorama Sport”, me një vëzhgim, sjell disa nga kuqezinjtë që “bëjnë ligjin” në kampionatet e tyre.

AZERBAJXHAN
Ansi Agolli, kapiteni i Kombëtares është në krye të renditjes me skuadrën e Karabakut, edhe pse me një ndeshje më pak sesa skuadrat rivale. Ekipi i mbrojtësit të majtë është me një pikë më shumë sesa ndjekëset, 28 dhe dominon në vitet e fundit.

POLONI
Legia e Armando Sadikut ka arritur që të rifitojë kreun e renditjes, falë fitores së fundit të arritur në kampionat kundër Gornikut duke i marrë edhe kreun e klasifikimit me 31 pikë.

GREQI
Është një nga më të rinjtë e afruar në Kombëtaren shqiptare. Astrit Hajdareviç dhe AEK kryesojnë në Greqi, falë edhe ndihmës nga PAOK-u i Kaçes që mundi dje Atromitosin.

ITALI
Në futbollin fqinj, shqiptarët janë në krye të dy ligave kryesore. Dy futbollistët e Kombëtares, Elseid Hysaj dhe Migjen Basha, kryesojnë renditjet. Napoli po dominon Serinë A, ndërsa Bari i mesfushorit kuqezi është ngjitur rishtazi në krye të ligës së dytë.

SHQIPËRI
Sabjen Lilaj përfaqëson kampionatin shqiptar dhe me atë që Skënderbeu ka treguar në fazën e parë në Superiore, duket qartësisht se po “bën ligjin”.

SLLOVENI
Në kampionatin slloven, është Maribori i Valon Ahmedit që ruan kryesimin. Një mesfushor i afruar rishtas nga Panuçi në Kombëtare.

DANIMARKË
Mesfushori i Kombëtares U-21, i cili ishte pjesë e Kombëtares në grumbullimin e fundit, është në krye të klasifikimit me skuadrën e tij në Ligën e Dytë. Në Danimarkë, Vejle është pretendentja kryesore në listën e ekipeve që po kërkojnë elitën. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: