Policia e Shijakut dhe zbardhur dhe dokumentuar pesë vjedhje të ndodhura më parë, duke arrestuar autorin e dyshuar, i cili rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Në pranga ka rënë i riu K. Gj., i cili është autori i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndodhura në Shijak, kryesisht vjedhje në banesa ose në automjete, duke marë sende me vlerë ose vlera monetare.
Gjithashtu, janë ndaluar 2 shtetas shpallur në kërkim, për vepra të ndryshe penale, si dhe janë arrestuar 4 drejtues mjetesh.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, arrestuan në flagrancë shtetasin K. Gj., 25 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke vjedhur në banesën e shtetases D. N., bizhuteri floriri.
Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas është autori i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndodhura në Shijak, kryesisht vjedhje në banesa ose në automjete, duke marë sende me vlerë ose vlera monetare.
—
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, u ndaluan shtetasit:
K. M., 30 vjeçe, banuese në Durrës, për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Veprime në kundërshtim ne vendimin e Gjykatës”;
R. M., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja”, “Shkatërrim prone me zjarr”,” Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë”.
—
Shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:
F. K., 18 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi;
S. A., 18 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin në gjëndje të dehur;
R. B., 30 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin tip “Jaguar”, në gjëndje të dehur;
T. D., 27 vjeç, banues në Krujë, pasi ditën e djeshme në Kameras, Fushë Krujë, ka aksidentuar e më pas është larguar nga vendngjarja, këmbësorin shtetasin B. M., 68 vjeç, banues në Fushë, Krujë, i cili si pasojë e përplasjes ndërroi jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)