70 vjet më parë, më 12 maj 1949, Stalini hoqi me turp nga Berlini Perëndimor bllokadën e parë dhe më të madhe humanitare të botës. Ajo shënoi tensionimin e parë serioz të Luftës së Ftohtë, si reagim ndaj forcimit dhe zgjerimit shumëpalësh të ndikimit të aleatëve perëndimorë me SHBA-të në krye; kjo bllokadë ishte ofensiva e parë sovjetike e pasluftës që filloi në Berlin, si vija e demarkacionit të dy botëve dhe drejtohej kundër aleancës së re perëndimore, për destabilizimin e saj dhe përparimin e mëtejshëm politik dhe ushtarak të ish-BS-së në Evropë. Por gjërat nuk ecën aspak sipas strategëve sovjetikë, sepse aleanca perëndimore paraprinte me hapa konkretë përpara. Mjaft të përmendim se në vitin 1947 kishte filluar zbatimi i Planit të famshëm « Marshall » të ndihmave kolosale amerikane për vendet evropiane që e kishte acaruar së tepërmi regjimin sovjetik. Më 4 prill 1949 ishte krijuar NATO, ndërsa më 8 Maj 1949 Këshilli i Evropës dhe Republika Federale Gjermane.


Këto e të tjera ngjarje ishin intriguese dhe sfiduese për planet e ekspansioniste sovjetike. Stalini kishte urdhëruar ushtarakët amerikanë të largoheshin menjëherë nga Berlini Lindor, së bashku me pajisjet e tyre të komunikimit. Ai donte që fillimisht Berlini Perëndimor të kthehej në tokë asnjanëse, kërkesë që ka vijuar për vite me radhë, deri në bisedimet e Vjenës, më 1961. Dukej qartë se sovjetikët e kishin nënshkruar Marrëveshjen e Potsdamit në gusht 1945 thjesht për të fituar kohë dhe terren.


Pas disa paralajmërimesh, sovjetikët filluan të shtrëngonin “darën” e rrethimit mbi pjesën perëndimore të Berlinit. Më 24 qershor 1948 e bllokuan atë tërësisht nga toka dhe uji. Mirëpo, Presidenti amerikan Harry Truman e kishte shpallur botërisht se nuk do t’i braktisnin berlinezët dhe Berlinin, as idealin e tyre për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie perëndimore. Por gjendja në terren ishte tejet e rënduar. Mbi 2 milionë berlinezë në pjesën perëndimore kërcënoheshin nga skamja, uria dhe të ftohtit. Qyteti ende nuk e kishte marrë veten nga zjarri dhe shkatërrimet e luftës; gërmadhat ishin ende aty; kishte fare pak ushqime, lëndë djegëse, ndërsa energjinë elektrike sovjetike ua kishin prerë, pasi centrali ndodhej në pjesën lindore të qytetit.


Në situatën e krijuar, gjenerali amerikan L. Clay, i cili kishte komanduar trupat amerikane për çlirimin e Berlinit, kishte menduar të dërgonte një autokolonë me furnizime, në rrugë tokësore, përmes territorit të pjesës perëndimore, nën hundën e sovjetikëve. Por, kjo do të provokonte situatën dhe një luftë e re mund të ishte fare pranë. Këtu u shfaq gjenia e gjeneralit britanik, Robertson, i cili dha një shembull të shkëlqyer të një alternative tjetër paqësore, humanitare e njerëzore, atë të furnizimit nga ajri, d.m.th. të krijimit të një “Ure Ajrore” si e vetmja alternativë e pranueshme dhe pa rrezik. Kjo sepse për fat, më 30 Nëntor 1945, aleatët perëndimorë kishin bërë një marrëveshje me shkrim me sovjetikët, për të lënë tre korridore të lira komunikimi në hapësirën ajrore në Berlin.

Ideja ishte e mirë, por po forcat, burimet, mundësitë? Amerikanët kishin në Gjermani vetëm 5 avionë transporti “Douglas C-47” dhe secili mund të transportonte 3,5 tonë mallra. Krejtësisht e pamjaftueshme. Sasitë e nevojshme të furnizimit ishin shumë herë më të mëdha.

Nga ana tjetër, transportimi i këtyre sasive kërkonte realizimin e 1000 fluturimeve në ditë dhe mjaft avionë e pilotë. Këtë operacion e drejtoi Gjenerali i famshëm Tunner, i cili njihet edhe si krijuesi i aviacionit të transportit modern.

Aleatët amerikanë, britanikë dhe francezë morën masat dhe siguruan bateri të tëra avionësh, duke filluar dhe vazhduar për 11 muaj rresht operacionin më të madh humanitar të aviacionit në histori. Realizimi i këtij operacioni hasi në vështirësi dhe sakrifica të panumërta. Aeroporti historik i Tempelhofit, vendi i ngritjes dhe uljes së qindra avionëve të transportit, ndodhej jo shumë larg qendrës së qytetit dhe mes godinave; moti nga ana e tij ishte plot “ teka” dhe fluturimet mjaft të shpeshta; ndaj dhe incidentet nuk munguan. 101 ushtarakë, ndërmjet të cilëve 31 pilotë amerikanë dhanë jetën e tyre për mposhtjen e kësaj bllokade.

U kryen gjithsej 277,569 mijë fluturime, duke përshkuar gjithsej 92 milionë milje nga avionë transportues të fuqishëm C-47 dhe C-54. Por, edhe populli heroik i Berlinit u tregua në lartësinë e duhur. Ende pa mbaruar pastrimin dhe rindërtimin e qytetit të shkrumbuar nga miliona bomba, atyre u duhej të mobilizoheshin me të gjitha mjetet dhe format, për të ndihmuar në këtë operacion. Duheshin punëtorë, ngarkues dhe shkarkues, por duheshin edhe mekanikë për avionët. Të gjitha u realizuan me një disiplinë dhe vullnet shembullor.

Kjo bllokadë pati dhe shumë elementë njerëzorë. Ura Ajrore njihet dhe për lëshimin nga ajri të atyre që hynë në histori si “rosinenbomben” nga avionët amerikanë që lëshonin qese me karamele, bonbone dhe çokollata për fëmijët e Berlinit gjatë zbritjes në aerodrom. Kolonelit amerikan Halvorsen që filloi i pari këtë traditë, i bëri përshtypje fakti se ndryshe nga fëmijët në vendet të tjera, berlinezët e vegjël nuk lypnin e kërkonin asgjë, as çokollata apo karamele. E kishin për krenari që me gjithë fukarallëkun dhe nevojën, të mos e ulnin veten. I prekur nga kjo krenari fëminore, ai nxori nga xhepi çamçakëzë dhe karamele dhe ua shpërndau fëmijëve. Pasi mësojnë se është pilot, ata e pyesin se si mund ta dallonin në ditët e ardhshme mbi qiellin e Berlinit. Dhe ai u thotë, se do të “dredhë” krahët e avionit që ata ta kuptonin. Në ditët në vijim, duke parë fëmijët që prisnin poshtë, ai bën “dredha” me avionin dhe lëshon disa mini parashuta me çokollata dhe karamele. Fëmijët gëzohen dhe ky filloi të bëhej ritual i përditshëm. Ishte ky një element tjetër që i afroi edhe më shumë aleatët me popullin e thjeshtë, duke dhënë kështu kurajo për kapërcimin e kësaj bllokade të egër dhe mizore.

Më në fund, më 12 Maj 1949 sovjetikët u detyruan përballë dështimit ta heqin bllokadën, përmes gëzimit dhe entuziazmit të papërshkruar të berlinezëve perëndimore. Fitorja e bujshme mbi këtë bllokadë pati vlera të shumëfishta për forcimin e aleancës së re perëndimore, për krijimin e shpresës në popull dhe për të treguar natyrën e vërtetë të regjimit sovjetik të Stalinit.

Por, kjo bllokadë ishte vetëm kolona e parë trekëndëshit sovjetik “ Bllokadë – Terror – Mure” e cila synonte të sfidonte Gjermaninë dhe Perëndimin. Më 17 Qershor 1953, ata përdorën terrorin, tanket dhe trupat e tyre për shtypjen me gjak të rebelimit antikomunist në Berlin dhe dhjetëra qytete të tjera. Pasi dështuan me bllokadën dhe terrorin, Hrushovi dhe Ulbrichti urdhëruan më 13 Gusht 1961 ngritjen e Murit famëkeq të Berlinit – shtylla e tretë dhe vendimtare e trekëndëshit të tyre kriminal. Ata mundën me shumë zor të mbahen fort pas tij, por vetëm për 28 vjet; sepse sërish historia dhe popujt demokratë i çuan ata drejt shembjes dhe dështimit të turpshëm. Ndërsa aleatët e mëdhenj perëndimorë, me SHBA në krye iu përgjigjën sfidës së “trekëndëshave” Lindorë me Triptikun e tyre Perëndimor – Ura mbi Mure, Begati mbi Varfëri, Integrim mbi Izolim.

Këto 20 vitet e fundit, pjesë e këtij triptiku emblematik janë bërë edhe vendet që lënguan nën tiraninë komuniste, së bashku me Shqipërinë. Edhe pse fatkeqësisht në rajonin e Ballkanit po shfaqen gjithnjë e më tepër recidivë dhe mbeturina të mentalitetit të bllokadave dhe embargove në vend të Mureve, madje edhe aty ku ka ura fizike, synohet të ngrihen mure të rinj ndarës.

Gjithsesi, rëndësinë dhe jehonën epokale të fitores së parë perëndimore mbi ish-BS 7 dekada më parë e kanë zbehur jo pak zhvillimet tejet shqetësuese të pesë viteve të fundit; kur po ringrihen mure, gardhe dhe pengesa me emra nga më të ndryshmit, ku nuk mungojnë bllokadat dhe sanksionet politike, ekonomike, tregtare dhe njerëzore e deri te luftërat tregtare; Korea e Veriut po kërcënon seriozisht paqen dhe sigurinë jo vetëm në Gadishullin Korean, por shumë më gjerë; bllokada dhe konflikte të armatosura janë përshkallëzuar rrezikshëm në Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Mbi të gjitha, Rusia dhe Kina kanë dalë me pretendime të mëdha për hegjemoni globale e ndërsa Kina po tenton me metoda dhe rrugë “mëndafshi”, Rusia ka kaluar dhe në pushtime/aneksime të armatosura si ai i Krimesë dhe Ukrainës Lindore më 2014. Madje ajo përbën kërcënim për paqen e sigurinë dhe në vendet pranë saj, krahas tentativave për depërtim të gjithanshëm në Ballkanin Perëndimor. E drejta ndërkombëtare po tentohet të zëvendësohet me të drejtën e forcës. Praktikisht, Putini ka shkuar më larg se Stalini. I nxitur dhe fakti se ndryshe nga 70 vite më parë, Aleanca Transatlantike, faktori përcaktues i dështimit të Bllokadës dhe Murit të Berlinit po karakterizohet nga krisje dhe tensione të brendshme serioze.

Në këto rrethana, përkujtimi i 70 vjetorit të dështimit të Bllokadës së Berlinit, dhe në prag të 30 vjetorit të shembjes së Murit të tij famëkeq përbën një rast të volitshëm dhe një apel të fuqishëm se bllokadat, sanksionet dhe luftërat e çdo lloji janë alternativa jetëshkurtra të mbarsura me pasoja të pallogaritshme dhe që rrezikojnë të na kthejnë sërish aty ku ishim një shekull më parë. Sa më shpejt e më mirë të kuptohet ky realitet, aq më mirë do të jetë për Europën dhe njerëzimin.