Diplomati i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit, Christofer Hill ka rrëfyer ekskluzivisht në Real Story të Sokol Ballës, në News24, disa të vërteta të forta për Shqipërinë në rrugëtimin e saj 30-vjeçar, i cili paralajmëroi edhe nga se duhet të shqetësohet vendi ynë, ku çështja kryesore mbetet influenca ruse.

“Duhet të jeni vigjilentë dhe të shqetësuar për Rusinë”, ka paralajmëruar Hill në intervistën me gazetarin Sokol Balla, ku tregoi edhe disa të vërteta për burgosjen e Nanos, Pavarësinë e Kosovës, ndërsa jep këndvështrimin e tij për reformën në drejtësi hapjen e negociatave me BE-në. Në intervistën për gazetarin Balla, ai ka rrëfyer edhe një plagë të Shqipërisë, sesi u krijuan skemat piramidale në Shqipëri, duke e lidhur ngushtë atë me shkeljen nga vendi ynë të embargos me Jugosllavinë.

“Nëse shihni me kujdes se si funksiononin ato skema piramidale, jepnin para që ishin këtu për shkak të kontrabandës së naftës dhe pas arritjes së paqes nuk ishte më nevoja për kontrabandë dhe skema piramidale kaloi në kolaps, duke shkaktuar që shumë njerëz të humbnin para”, ka deklaruar ish-ambasadori i parë i SHBA në Tiranë.

Sokol Balla: Zoti Hill shumë faleminderit që jeni në programin tim.

Christopher Hill: Faleminderit ju, është kënaqësi të jem këtu.

SB: Cili është qëllimi i vizitës këtë herë?

CH: U ftova nga kjo organizatë ndërkombëtare që të jem pjesë e kësaj konference mbi “Paqen dhe Sigurinë” këtu në Ballkan. Ishte një mundësi për të ardhur dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.

SB: Sa e ndryshme është Shqipëria që ju shihni sot, me Shqipërinë që ju keni parë në vitin 1991, mos gaboj?

CH: Po, ishte viti 1991. Nuk mund të gjykoj të gjithë Shqipërinë, por nga ajo që pashë në Tiranë, mund t’ju them me bindje ndryshimet e Tiranës së sotme dhe Tiranës 28 vite më parë. Ka shumë ndryshime.

SB: Ju ishit zyrtari i parë i SHBA që erdhët në Shqipëri, pasi ne rivendosëm marrëdhëniet diplomatike. E saktë?

CH: E saktë. Isha diplomati i parë i caktuar këtu. Kishim disa njerëz të përkohshëm, por unë isha i pari person i caktuar. Cilat ishin ndryshimet? Së pari ne nuk kishim një ambasadë, ambasada jonë ishte përdorur nga Italia, kështu që kishim dy dhoma në “Hotel Dajti”, dhoma 205 dhe 206. Punuam në Hotel Dajti për gati 3 muaj, deri në tetor 1991, kur ngritëm flamurin amerikan mbi ambasadën tonë dhe filluam punë. Ato ishin kohë të vështira, shumë të vështira. Kishte shumë probleme me energjinë elektrike, uji…

SB: Probleme sigurie?

CH: Probleme sigurie. Ishte disi e rrezikshme të ecje në rrugë natën, sepse nuk kishte drita dhe ndonjëherë kapakët e pusetave vidheshin dhe pa drita, mund të bije në gropë. Ishte e rrezikshme në fakt.

SB: Dhe pastaj gjëja e parë me të cilën ju u përballët ishte opozita e re…

CH: Në fakt, gjëja e parë ishte që me vënien në punë të ambasadës sonë, të ndihmonim Shqipërinë. Shqipëria kishte nevojë për ndihmë kudo. Përfshi ushqim e çdo gjë tjetër. Ne e bëmë atë. Padyshim ishin zgjedhjet që u zhvilluan në mars 1992 dhe problemi ishte që të përpiqeshim të qëndronim jashtë dhe jo të sugjeronim kë kishim të parapëlqyer, por që procesi të ecte përpara.

SB: Por ishte e vështirë, sepse Ambasadori Ryerson që erdhi u përfshi në zgjedhje dhe më parë ishte edhe vizita e Sekretarit të Shtetit Baker, e cila në fakt ishte një ngjarje e madhe dhe të cilën edhe sot ne e cilësojmë një pikë kthese…

CH: Ajo ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme që unë kam parë në karrierën time në shërbimin e jashtëm. Ishte pikërisht këtu, në sheshin Skënderbej dhe ishin 500 000 njerëz. Ishte e paharrueshme. Por më pas çështja ishte të merreshim me pritshmëritë e shqiptarëve ndaj SHBA dhe jo që ata të ishin të zhgënjyer, por të ishin realistë se çfarë mund të bëhej.

SB: Çfarë ndodhi nga 1992, kur këtu gjërat ndryshuan ku Partia Demokratike erdhi në pushtet dhe pastaj ju kishit 1 apo 2 vite në Shqipëri. Dhe më pas pamë një ish-kryeministër të shkonte në burg, nga ish-partia komuniste dhe papritur emri i Christopher Hill doli në skenë. Zoti Nano ju akuzoi që ju ishit direkt i përfshirë në burgosjen e tij.

CH: Ju siguroj që unë nuk kam qenë as direkt, as indirekt dhe në asnjë formë, në burgosjen e tij apo të asnjë tjetri. I kishim duart e zëna, duke u marrë me çështje tërësisht diplomatike. Por kur proceset demokratike ecin përpara, kur ka zgjedhje, ka një konkurrencë të ashpër mes shqiptarëve dhe në atë konkurrencë shume gjëra mund të thuhen.

SB: Partia Demokratike konsiderohej si një investim amerikan. Cila është e vërteta?

CH: Nuk ishte investimi ynë. Lidershipi i saj, nën Sali Berishën, i parapriu ardhjes sonë. Më kujtohet që kur ishte një mbledhje me opozitën, më kujtohet që një numër i tyre ishin aty, përfshi Berishën dhe Baker, ai ishte shumë të impresionuar nga kjo opozitë. Por sinqerisht ishte detyrë e opozitës që të ftonte shqiptarët dhe në një farë mënyre ata e bënë, duke thënë “Amerika është me ne”.

SB: Ambasadori Amerikan ishte pjesë e fushatës në atë kohë, pjesë e mitingjeve politike të opozitës…

CH: Nuk jam shumë i sigurt nëse është një qasje e drejtë ndaj ambasadorit. Ai u përpoq që të qëndronte jashtë asaj, por ndonjëherë ishte e vështirë, duke qenë në një takim me politikanë dhe njerëzit i drejtoheshin duke i thënë: A mund të thoni disa fjalë. Dhe ai deklaronte që jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri mes shqiptarëve dhe ajo merrej si një miratim. Miratim politik.

SB: Unë ende e mbaj mend atë me dy gishtat lart…

CH: Po, e vërtetë. Unë gjithmonë jam munduar të mbaj pesë gishtat lart.

SB: Më pas, në kohën kur ne menduam që gjërat po shkonin për mirë, gjërat po shkonin keq dhe ne pamë përplasjen e parë mes asaj se çfarë Amerika kërkonte nga Shqipëria dhe çfarë qeveria shqiptare bënte. Pse? Pse ishte kjo periudhë problematike mes qeverisjes së parë demokratike dhe SHBA? Veçanërisht pas 1995-1996?

CH: Ajo ishte pas periudhës time këtu. Unë u largova nga Shqipëria për të drejtuar zyrën e Ballkanit në Departamentin e Shtetit. Punova me ambasadorin Holbrooke dhe ne merreshim me Bosnjën shumicën e kohës. Më vonë shkova në Maqedoni, në vitin 1996, për të qenë ambasador atje dhe gjatë asaj kohe mu kërkua që të merresha me çështjen e Kosovës. Mendoj që çështja e Kosovës kishte disa degëzime të mëdha me situatën këtu në Shqipëri. Ishte shumë kohë e vështirë për Shqipërinë, sidomos me disa nga sanksionet kundër Serbisë, ku serbët përpiqeshin t’i shmangnin ato, duke sjellë benzinë, nëpërmjet vendeve si Shqipëria. Ishte një kohë e vështirë për Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb