Partia Demokratike ka çuar deri në Bruksel kërkesën e saj për Qeveri teknike për zgjedhjet.
Albana Vokshi, zv.Presidente e EPP Women, gjatë takimeve në Bruksel në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane, ngriti problemet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, persekutimit të lidershipit të opozitës dhe kërkesën për qeverinë teknike para zgjedhjeve.
Duke marrë shkas nga tre rezolutat e fundit të miratuara nga organizatat më të rëndësishme politike të partive të qendrës së djathtë në Europë dhe SHBA, Vokshi përmendi tre gjetjet kryesore të rezolutave për Shqipërinë:
* Regjimin autoritar dhe të korruptuar në Shqipëri;
* Kontrollin absolut të Kryeministrit Rama mbi të gjitha pushtetet dhe politizimin e sistemit të drejtësisë
* Përdorimin e drejtësisë si armë për persekutimin politik të opozitës.
“Në Shqipëri, një person, kryeministri, ka përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij, dhe i ka reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Vetëm 5 muaj para zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik ndaj liderëve të opozitës është intensifikuar me burgosje dhe akuza të motivuara politikisht, përfshirë kryetarët e lartive kryesore të opozitës, Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, si dhe burgosjen pa prova të kundërshtarëve politikë Ervin Salianji apo Fredi Beleri”, tha Vokshi në Kongresin e EPP Women, ku ajo ngriti shqetësimin e lidhjeve të thella të qeverisë me krimin e organizuar.
Vokshi tha se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të garantojnë që Shqipëria të pranohet si e barabartë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Ajo njohu Kongresin e Grave të EPP-së me kërkesat e rezolutave të miratuara për krijimin e një qeverie teknike sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.
“Nëse nuk ke të drejtën për të votuar lirisht, të gjitha të drejtat e tjera janë një iluzion. Nuk ka demokraci reale, nuk ka stabilitet të vërtetë!”, u shpreh Vokshi, e cila u bëri thirrje pjesëmarrëseve për mbështetje në përpjekjet për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.
EPP Women në Bruksel përfundoi me një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për Shqipërinë dhe sfidat që ajo përballet, duke theksuar përkushtimin e PPE për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe vlerat europiane. Në punimet e kongresit morën pjesë figura të shquara nga politika evropiane, përfshirë Komisioneret Dubravka Suica, Jessika Rosëall dhe Henna Virkkunen, si dhe eurodeputete nga vende të ndryshme të BE-së.
PD u përgaqësua nga deputetja Albana Vokshi, Kryetare e LDGSH dhe Zëvendës Presidente e EPP Women, si dhe Elda Hoti, deputete e PD.