Nga: KIÇO BLUSHI *
Besoj se nuk habitet kush po të thuhet se shoqërinë tonë e ka pllakosur urrejtja. Nuk ka shqiptar që nuk e ndjen këtë dukuri. Mjafton të dëgjosh lajmet e TV-ve. Mjafton të ndjekësh një seancë të Kuvendit, ku baballarët e kombit, të zgjedhurit tanë kacafyten, shahen e përbalten mes vedi si armiq për vdekje, të përbetuar. Kuvendi dhe partitë janë pasqyra më e qartë ku shihet se si aleatët, shokët dhe miqtë e djeshëm mund të shpallen hasëm dhe anasjelltas; se si dashuria kthehet në urrejtje jo për bindje, as për ideologji, as për politikë, as për alternativa, por për interesa vetjake, të çastit. Partitë janë maja e piramidës, fidanishtja e kësaj fare të mallkuar të urrejtjes. Zëdhënësit partiakë u ngjajnë tellallëve që paralajmërojnë furtunën, urrejtjen dhe dënimet e radhës. Ngjarja e fundit e serialit “Tom Doshi dhe shokët e tij” e ilustron përbukuri këtë mysybet moral në nivelet më të larta. Nuk është e nevojshme një inteligjencë e hollë për të kuptuar se ç’fshihet pas këtij skupi që ka vënë përfund opinionin publik.
E po të zbresësh poshtë, në tokën e qytetarëve të thjeshtë, si në qendër e në periferi, si në zonat urbane dhe ato rurale, vështirë të mos përballesh me njerëz të panjohur, të irrituar e agresivë, të gatshëm për konflikt e sherr për hiçmosgjë. Në mos për sherr, një keqkuptim apo aksident do të të kaplojë edhe atëherë kur nuk e pret. Llumi i urrejtjes ka sens vertikal, nga lart poshtë. Familja është viktima e parë e më kryesore. Ndërsa rruga është skena ku luhet drama, tragjedia ose komedia e radhës, ajo që duket e thuhet në lajmet televizive… Nervozizmi, thashethemet, vulgariteti dhe agresiviteti ndotin ajrin që thithim. Marrëdhëniet shoqërore sot përcaktohen e vlerësohen nga dilemat: “Ky është me ne?” apo “ky është kundër nesh?”… Mes këtyre dy hendeqeve gëlon dasia dhe urrejtja. Pa urrejtje, pa e shpallur atë në publik, zor se bën prokopi. Pa e urryer “armikun” nuk bën dot karrierë në asnjë parti. Nuk bën hajër e nuk bëhesh as i pasur. Nuk shndërrohesh nga një hiç në VIP. Nuk punësohesh në administratë e, rrjedhimisht, nuk do të kesh mirëqenie…
Kemi pas kujtuar se injoranca është djepi i urrejtjes, por jo! Urrejtja politike është kapitali që vlen më shumë se trashëgimia dhe meritat. Debatet televizive me të varur e të pavarur që mësyjnë e pështyjnë njëri-tjetrin përnatë janë ilustrim dhe shprehje e nivelit më të lartë kulturor. Por synimi për të përfituar sa më shumë, nëpërmjet armës së urrejtjes është i njëjtë, i barazvlershëm, si për injorantët ashtu edhe për të diturit e shquar.
Askush nuk është i imunizuar, i përjashtuar, i mbrojtur. Për një fjalë goje kundër kryetarit të partisë, si për një gërvishtje makine apo për një parkim të nxituar mund të hash jo vetëm fjalë të ndyra, por edhe tehun e thikës, helmin e urrejtjes. Militantët dhe komisionerët përplasen e kacafyten nëpër zgjedhje, ashtu si vëllezërit që vriten për një vijë uji, për ndarjen e një ngastre toke të trashëguar. Në kronikën e zezë rrahjet e plagosjet për “motive të dobëta” janë më të plotqenësishme se ato për “motive të forta”. Gjithë këtë helm e mbjell politika. Në vend që ta shuajë, të vetmen punë që ajo kryen më së miri është mbajtja ndezur e zjarrit të urrejtjes. Sot për sot askush nuk e di kur e përse, e nga se mund të të çalltisë, në rrugë, në kafene apo edhe në dhomën e gjumit plumbi qorr i urrejtjes, i hakmarrjes, jo vetëm nga dora e fqinjit, por edhe nga një dikush që e ke konsideruar mik. Kush ka leverdi nga kultivimi i urrejtjes?
Zilia e nakatosur me shpifje dhe akuza të ndërsjella na hedh në luftë për mbijetesë më kollaj se nderi, puna, talenti, meritat dhe djersa. Mundësia e shpërthimit papritur e pakujtuar të tritolit të zilisë dhe të përfitimit prej urrejtjes nuk përjashton askënd. “Kush je ti e kush jam unë?” e më tej: “përse të përfitosh ti e jo unë?”, këto janë motivet që shërbejnë si armë për asgjësim moral. Por edhe për mbyllje të gojës “me mjete demokratike” e për shpëlarje të truve me ndihmën e lavazhit mediatik. Besohet se nga përsëritja e shpeshtë e ndotjes morale, gënjeshtra do të mposhtë të vërtetën.
Të urresh sa më shumë do të thotë të jesh e të ndjehesh sipëror. Ky nuk është thjesht egoizëm për t’u dukur i gjithëpushtetshëm e për të kujtuar se do të mbetesh gjatë e me çdo kusht në pushtet. Në fakt është zgjatim i fabulës folklorike “O Zot, më nxirr mua njërin sy, me kusht që atij tjetrit (kundërshtarit) t’ia kredhësh të dy!” …Ndaj shoqëria jonë ka mbetur pa sy dhe nuk po e gjen dot rrugën e dëshiruar.
***
Pas përfundimit të kësaj “sage” baltosëse del vetvetiu konkluzioni fatal: të gjithë janë të pistë, të poshtër, të pabesë, hajdutë, të korruptuar… Në këtë klimë gjithëpërfshirëse shërbejnë jo vetëm mercenarët partiakë, por tashmë edhe internautët anonimë, këta trushpëlarë të modernitetit teknologjik, të paguar që të shajnë, vjellin, mallkojnë, pështyjnë e shpifin kotekot, edhe kundër njerëzve që nuk i kanë takuar kurrë e nuk i njohin as për fytyrë. Një dreq e di përse urrejtja është bima që mbin më kollaj se egjëri në tokën e në mendjen tonë të hallakatur. Mjafton të vësh re se si po e akuzojnë me burg njëri-tjetrin krerët tanë më të lartë pas të ashtuquajturës “telenovela Doshi”. E jo vetëm këto ditë, por që kur ka ardhur pluralizmi vazhdon i njëjti avaz.
Pa dyshim që asnjë prej krerëve të akuzuar nuk do të rraset në burg. Por ama klima e urrejtjes mbahet gjallë. Kjo i lipset politikës. Kaq mjafton. Kjo quhet politikë e suksesshme. Krerët besojnë që popullit tonë trim e liridashës ky ushqim i helmët i pëlqen: lufta e pareshtur me bajlozë… Që edhe me nëntë plagë në trup, bajlozët e demokracisë nuk mposhten e mund të bëjnë hatanë!
Me sa duket, kultivimi i urrejtjes qenkësh më dobiprurës edhe se kanabisi dhe tritoli, pasi urrejtja e ndërsjellë e plogështon shoqërinë, e bën individin më të dobët, më të manipulueshëm e më të pafuqishëm, ngaqë e zhbën besimin te bashkëjetesa, duke hyrë pa trokitur jo vetëm në shpirt, po edhe brenda një familjeje, pse jo edhe të një kombi.
Po pse? Përse të urrejmë e kemi më të kollajtë se të duhemi?
Përse e luftojmë harmoninë shoqërore dhe për ç’arsye urrejtja e ndërsjellë është bërë kaq sunduese në shoqëri tonë të lirë e demokratike?
Përse pandehim që mosmarrëveshja vlen më shumë se mirëkuptimi?
Përse mosbesimi është bërë pushteti më legjitim edhe se Kuvendi, se qeveria, se administrata civile, se partitë dhe se të gjithë zgjedhurit tanë?
***
Shumëkush kujtoi e besoi se, me të ardhur demokracia dhe pluralizmi do të shuhej e do të firohej njëherë e përgjithmonë lufta e mallkuar e klasave, të cilën diktatura e pat përdorur si armë efektive për të sunduar më lehtësisht, nëpërmjet amplifikimit të urrejtjes. Nuk ka dyshim që trashëgimia gati gjysmëshekullore e luftës së klasave ndodhet në rrënjët e urrejtjes së sotme, ashtu si gjylet e bombat e harruara të luftës. Por gjithsesi, vetëm ky shpjegim do të ishte i mangët e i cungët.
Tek ne kanë ndodhur procese transformuese të shpejta e të reja, falë anarkisë, lirisë pa semaforë, pa rregulla e pa vija të bardha. Zhvillimi kuturu i ekonomisë dhe sidomos tjetërsimi i mënyrës së të menduarit e të jetuarit jo vetëm që e ka shtuar në ekstrem pabarazinë e padrejtësinë, – këtyre gjeneratorëve të mosbesimit dhe të urrejtjes së ndërsjellë, – por e ka bërë zilinë, bashkë me urrejtjen, të vetmet forca lëvizëse të shoqërisë. Rrjedhimisht edhe të një pasurimi a lavdie të shpejtë e të pamerituar të një pakice.
Të dalë nga barazitizmi me dhunë, ne u gjendëm të papërgatitur përballë një pabarazie me anarki të plotë. U thellua pabarazia përballë ligjit. Ndarja e pasurisë kombëtare që u krye me kriterin e besnikërisë partiake e klanore, kthimi e moskthimi i pronave sipas parimit “mos e lyp se nuk e merr, po rrëmbeje se nuk të thonë gjë”, si dhe legalizimet e ndërtimet informale e kanë shfytyruar tejembanë moralin e shoqërisë. Sikurse rrënimi i besimit të ndërsjellë, si parakusht i çdo shoqërie normale e demokratike.
Nëse në diktaturë të gjithë kishim të njëjtin model divani e bufeje të “Misto Mames” në shtëpi, sot vëllai i mbetur pa shkollë është bërë milioner, ndërsa tjetri, me diplomë nuk ka bukë të hajë… Kjo është tabloja më tipike e dallimeve të thikta të shoqërisë së sotme. Aktualisht ne jemi toka e të pabarabartëve. Jo vetëm në pasuri, po edhe në të drejta. Jo vetëm në të drejta, por edhe në merita e vlera. Ashtu si në përrallën “Princi dhe i varfëri” sot ndëshkohen të varfërit dhe të mjerët që, duke ndëshkuar këta t’u vijë oreksi e të përfitojnë sa më shumë të pasurit, biznesmenët. A nuk veprohet pabarazisht me faturat e fukarenjve dhe me milionat e papaguara të bizneseve për energjinë elektrike, apo edhe me kompanitë e naftës, të cilat janë kapur se abuzojnë e megjithatë nuk shpallen e nuk ndëshkohen “që të mos dëmtohen bizneset”? Dënohen infermieret që marrin bakshish një dymijë lekësh, por nuk kapen e nuk ndëshkohen ata që vjedhin miliona euro…
Shembuj të tillë që provojnë pabarazinë e instaluar qëllimisht, si nga të djathtët e nga të majtët në qeveri, mund të sillen pafund. Por problemi qenësor është ky: si mund të shuhet dhe a mund të minimizohet sadopak urrejtja që e ka vënë përfund shoqërinë? Hë-për-hë duket e pamundur. E vështirë poqese nuk do të ndëshkohet më së pari pabarazia. Por pabarazinë nuk mund ta ndëshkojnë ata që kanë përfituar e janë bërë të shquar, të pasur e të pushtetshëm falë saj. Ky është problemi që po na tërheq zvarrë nga zgjedhjet në zgjedhje. Ne vazhdojmë të zvarritemi nga një “idhull pa krena” te tjetri.
Ka ardhur koha, – ndoshta është ca si tepër vonë!, – që ne, zgjedhësit, ta kuptojmë se “ku fle lepuri” dhe se kush mbjell pabarazi do të korrë urrejtje. Por kush e përse na shtyn e na detyron të urrejmë, – për të mbijetuar, sigurisht!, – shoshoqin, rëndom pa arsye e pa shkak? Mos është vonë për ta kuptuar këtë?
Kjo është çështja!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: