TIRANË- “BalkanWeb” siguron listën e kandidatëve që kanë shprehur interes pas shpalljes së vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë.

Gazetarja Marsela Karapanço raporton për “BalkanWeb” se lista me 20 emra të njohur të sistemit të drejtësisë ka mbërritur në Kuvend ku afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit ishte 15 marsi.

Kandidaturat janë të vlefshme për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa në listë janë emra të njohur për publikun si ai i Çlirim Gjatës, Denar Bibës, Theodhori Sollakut, Gëzim Allaraj, Sinan Tafaj, Shpresa Beçaj etj. Me herët edhe presidenca kishte shpallur dy vakanca për në Gjykatën Kushtetuese.

lista ok

Në fillim të shkurtit Kuvendi i Shqipërisë njoftoi për hapjen e procedurës së aplikimit për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht, Gjykatës Kushtetuese i mungojnë 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej, duke e vendosur këtë institucion kyç në një ngërç.

Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
-të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
-të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
-të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
-të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
-të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
-të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
-Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

-të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
-të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
-të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
-vjetërsisë në profesion;
-përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
-kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
-treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
-ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse -arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
-informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

Lista e kandidatëve bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb