Gjykata e Lartë shpalli listën me 13 kandidatët që garojnë për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të mbarimit të mandatit të Holta Zacajt.

Kryetares së Gjykatës Kushtetuese Holta Zacaj i mbaron mandati me 10 mars 2025, edhe pse ajo pretendoi se ligji e lejonte të qëndronte në detyrë deri në fund të vitit.
Pas vendimit të kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushaj i cili shpalli vakancën, gjyqtarët kushtetues vendosën përfundimin e mandatit të Zaçajt duke zgjidhur një nga ngërçet e krijuar në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi:

Kryetari i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, si dhe nenin7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 11.12.2024 ka bërë shpalljen publike për hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë nga Gjykata e Lartë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, në vendin vakant të krijuar si rezultat i mbarimit të mandatit të znj. Holta Zaçaj.

Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave, kandidatët që kanë paraqitur interes për plotësimin e vakancës janë:

1. Alban Toro
2. Alma Faskaj
3. Asim Vokshi
4. Denar Biba
5. Florjan Ballhysa
6. Genta Tafa
7. Irena Nino
8. Klodian Rado
9. Lulzim Hamitaj
10. Naureda Llagami
11. Nurihan Meta
12. Rezana Balla
13. Sinan Tafaj

Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, lista e kandidatëve, si dhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre i është dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë.

Lista me emrat e kandidatëve publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, me qëllim që institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, të mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb