Kur Armand Duka u zgjodh presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, një nga atributet që i vendosi rolit të tij të ri, ishte ekskluziviteti i zgjedhjes së trajnerit të Kombëtares. Duka gjeti në detyrë Sulejman Demollarin, por pak javë më pas, Shqipëria humbet turpshëm në Andorra dhe Demollari shkarkohet nga stoli kuqezi.

Duka besonte se vetëm një trajner i huaj mund ta sillte në shina ekipin Kombëar dhe, gjatë gjithë presidencës së tij të gjatë, ka emëruar në krye të Shqipërisë plot 7 trajnerë (përjashto këtu Slavko Kovaçiç dhe Xhemal Mustedanagiç, që ishin interim, njëjtë si dyshja Bulku-Mema). Nga këta të shtatë, më i suksesshmi ka qënë Xhani De Biazi, që arriti kualifikimin historik për në Euro 2016.

Por ka pasur dhe shumë dështime, emra që tifozët kanë kërkuar t’i harrojnë sa më shpejt. Trajneri i parë i huaj i epokës Duka ishte Xhuzepe Dosena. Ish-lojtari i Kombëtares së Italisë, kampion i Serie A me Sampdorian e artë të vitit 1991. Dosena zëvendësoi të shkarkuarin Demollari dhe u bë i huaji i parë në krye të Shqipërisë që pas hungarezit Miklosh Vadas në vitin 1953. Por aventura e Dosenës zgjati shumë pak, vetëm 3 muaj, pasi italiani u arratis drejt Libisë për në kontratë më të mirë duke lënë në baltë Shqipërinë. Nën drejtimin e Dosenës, Shqipëria mori një barazim 1-1 me Zvicrën dhe humbjen 4-1 me Rusinë në Vollgograd (ka edhe një fitore 1-0 me Kosovën, por ajo është ndeshje që nuk njihet nga FIFA). Më pas, erdhi Brigel, që vuri rregull në rezultate dhe lojë.

Trajneri i dytë që Duka dhe të gjithë tifozët nuk duan ta kujtojnë është Ari Han. Ish-lojtari i gjeneratës së artë të Holandës dhe Ajaksit të futbollit total zëvendësoi në detyrë një mjeshtër të trajningut si Oto Bariç. Por holandezi dëshmoi se veç emrit të madh si lojtar, nuk kishte asnjë talent si trajner. Altin Lala, ish-mesfushori dhe kapiteni i Kombëtares, do ta kujtonte Ari Hanin si dikë “që interesohej vetëm për cilësinë e peshkut dhe verës së bardhë”. Han u emërua më 27 maj të vitit 2008 dhe u largua më 1 prill të vitit 2009, Ditën e Gënjeshtrave, pasi edhe ai rezultoi një gënjeshtër e madhe në stol. 10 ndeshje për të, 2 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje, por mbi të gjitha lojëra të rëndomta, dhe formacione të çuditshme.

I fundit i zhgënjimeve është Kristian Panuçi. Rezultate e tij i kanë të freskëta të gjithë tifozët. Italiani do të mbahet mend për arrogancën dhe faktin që kurrë nuk mori përsipër fajin dhe në rezultatet e rënda si humbja 3-0 me Kosovën, 4-1 me Ukrainën apo dhe dështimin total në Ligën e Kombeve. Tashmë na mbetet që presidenti i FSHF-së të ketë nuhatjen e duhur për trajnerin e ri, pasi fushata kualifikuese për në Euro 2020 ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb