Pas një super-aksioni të Policisë së Durrësit, FNSH-së dhe RENEA-s, është bërë arrestimi i parë pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, i ndodhur katër ditë më parë te mbikalimi i Shkozetit. Në pranga ka rënë shtetasi Redjan Rraja, i cili rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.


Redjan Rraja rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje, që krijuan një impakt të madh në opinionin publik shqiptar, siç ishte vrasja e Elton Çiços dhe dhuna ndaj Xhisiela Malokut.


Redjan Rraja është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj 2016.


Në atë kohë, gjykata akuzoi Redjan Rrajën se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend.

Ndërkohë, emri i Redjan Rrajës del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”.

“Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”, mësohet se i kishin thënë oficerit Redjan dhe Ramazan Rraja.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb