Nga “ferri në parajsë”, pa frikë i tillë mund të quhet ky moment për kuqezinjtë. Ishim me një këmbë jashtë Ligës së Kombeve, por mjaftoi një triumf në Tbilisi për të na rikthyer në lojë me kohë të plotë. Në momentin më të vështirë, që pas kualifikimit në Evropian, ku në 10 ndeshjet e fundit kishim arritur vetëm 1 fitore, Shqipëria fiton atëherë kur më pak pritej, në ndeshjen më të vështirë në letër, kundër Gjeorgjisë.
Më shumë se sa klasi, apo loja fantastike, ajo që bëri diferencën ishte shpirti i shfaqur nga ekipi, një mbrojtje “bunker” që i bëri ballë Kvarës me shokë, efikas në fazën sulmuese, ku një perlë e Asllanit, një gol shumë i bukur, rezultoi një trepikësh.
Më në fund, edhe Sylvinho ndryshoi, hodhi një formacion me 3 ndryshime, ku Ajeti, Balliu dhe Tuci zhvilluan një ndeshje në një nivel shumë të lartë.
Si rrallë herë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ekipi prodhoi, madje mund të realizonim edhe golin e dytë, por Nedim Bajrami dhe pjesa tjetër e ekipit nuk arritën të vrisnin ndeshjen.
Sigurisht ditëm edhe të vuajmë, mbrojtën me fanatizëm këtë sukses, ku Ajeti, Ismajli dhe Strakosha mbajtën portën të pa prekur duke i kthyer në finale 2 ndeshjet e nëntorit, mbi të gjitha mbajnë Shqipërinë në lojë për kreun e grupit B1.
(BalkanWeb)