GREQI

84 heronj të rinj, zonja dhe zotërinj të vegjël kanë mbërritur edhe në Shqipëri nëpërmjet librave për fëmijë. Gazetarja e News24 në Greqi Ira Londo ka sjellë në Shqipëri mijëra libra të tillë.

Që prej viteve ’80, Zonjat e vogla dhe zotërinjtë e vegjël janë miqtë më të mirë të fëmijëve. Këta libra iu dedikohen vogëlushëve, si mënyrë që ata të argëtohen e të mësojnë fjalë të reja e të vështira. Këto 84 tituj vijnë në shqip nga një shtëpi botuese greke mjaft e suksesshme, me qëllimin e vetëm, që të përçojnë mesazhe pozitive dhe të bukura te fëmijët shqiptarë.


“Zoti Herkules”, “Zoti gudulisës”, “Zoti xhunga” apo “Zonja trazovaçe”, “Zonja e qeshur” “Zonja fatlume” janë vetëm disa nga shumë titujt që janë pëlqyer në të gjithë botën dhe tani po rrëmbejnë edhe zemrat e vogëlushëve shqiptarë.


Kopjen e parë të çdo libri kjo shtëpi botuese e dhuroi për fëmijët që panë sot një shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental, dhe ofroi falas me mijëra kopje të tjera. Por për të gjithë fëmijët që dëshirojnë të plotësojnë koleksionin e tyre me zonjat dhe zotërinjtë e vegjël, njësoj si fëmijët në Greqi dhe në të gjithë botën ku janë përkthyer, seria e heronjve gjendet në libraritë e Tiranës.  Së shpejti dhe në qindra pika të tjera shitëse, si mini markete, kioska apo super markete.


(BalkanWeb)