Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi që po mbahet në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sot ka arritur në fshatin e tij të lindjes, në Negroc të komunës së Drenasit.

Arsyeja e vizitës është vdekja e vëllait të tij, Azem Krasniqi. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të qëndrojë në Kosovë nga data 10-12 tetor.

Kujtojmë që Gjykata e Hagës refuzoi t’i jepte leje Krasniqit për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait (të dielën, 6 tetor), por më pas tribunali vendosi që atij t’i lejohet ardhja në Kosovë këto dy ditë për të takuar familjarët, “por me masa të kufizuara, të caktuara nga Gjykata”.

Krasniqi është shoqëruar nga automjete të shumta të Policisë. Dy ditë më pas ai do të kthehet sërish në Hagë ku përballet prej vitesh me akuzat e tribunalit për krime kundër njerëzimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb