Ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjizori Denzel Washington marrin të shtunën medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Joe Biden do t’u japë Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.

Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.

Katër personalitete do të nderohen pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-prokurori i përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i mbrojtjes.

Zoti Kennedy ishte babai i Robert F. Kennedy Jr., tashmë i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump në postin e sekretarit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore. Zoti Romney është babai i ish-senatori republikan të shtetit Utah, Mitt Romney, i cili është një ndër konservatorët më kritikë ndaj Presidentit të zgjedhur Trump.

Ndër filantropët që po nderohen me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmave në botë; si dhe Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.

Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.

Ndër personalitetet e tjera janë: aktivistja për mbrojtjen e mjedisit Jane Goodall; kryeredaktorja e hershme e revistës “Vogue Magazine”, Anna Wintour; stilisti amerikan i modës Ralph Lauren; themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Jr.; sipërmarrësi dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Tim Gill; si dhe David Rubenstein, bashkëthemelues i firmës globale të investimeve “The Carlyle Group”.

Një vit më parë, Presidenti Biden dha Medaljen Presidenciale të Lirisë për 19 persona: për aktivistin për të drejtat civile Medgar Evers (pas vdekjes); për ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; ligjvënësin James Clyburn, nga Karolina e Jugut dhe aktoren Michelle Yeoh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb