Dy organet kryesore kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) janë drejt ngritjes.
Qeveria shqiptare ka vendosur të blindojë këto dy institucione kyçe, që pritet të shfarosin krimin dhe korrupsionin, deri te politikanët.
“‘Sistemi i sigurisë’, sistemi ku ndodhen këto institucione, që përbëhet nga perimetri rrethues i godinës, deri ku shtrihet më tej ai i vëzhgimit apo kontrollit të autorizuar në rast nevoje të parandalimit të rrezikut, ai i sinjalizimit të hyrjeve të parregullta, metal-dedektorët, sistemi i kamera- vëzhgimit, ai elektronik i lejimit e kufizimit të aksesit në hyrjet e institucioneve, ruajtja e të dhënave të tyre, punonjësit e sigurisë”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Qeverisë.
Vendimi i plotë i Qeverisë:
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PROCEDURAT NË LIDHJE ME GARANTIMIN E SIGURISË NË MJEDISET E GJYKATAVE KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË PROKURORISË SË POSAÇME DHE TË BYROSË KOMBËTARE TË HETIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 46, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullave të hollësishme për procedurat në lidhje me garantimin e sigurisë në mjediset e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
I. OBJEKTI DHE FUSHA E ZBATIMIT
Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për procedurat në lidhje me garantimin e sigurisë së mjediseve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto rregulla nuk duhet të cenojnë veprimtarinë gjyqësore dhe administrative të institucioneve si dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore, në mënyrë publike e transparente.
II. PËRKUFIZIME
Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:
1. “Personeli i sigurisë”, punonjësit e ngarkuar për të garantuar rendin dhe sigurinë në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët janë pjesë e shërbimit të vijueshëm të Policisë së Shtetit, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
2. “Institucion”, gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas kuptimit të dhënë në ligjin nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
3. “Ambiente”, ambientet e brendshme të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe trualli funksional përreth, duke përfshirë edhe parkingun për automjetet.
4. “Kryetar”, kryetari i gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
5. “Siguria e godinës”, ndalimi i hyrjes së paligjshme, dëmtimi dhe kryerja e akteve të dhunshme ndaj ambienteve, sjellja e eksplozivëve, e armëve ose sendeve të tjera që mund të përdoren si armë, ose çdo aktiviteti tjetër të paligjshëm ndaj ambienteve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
6. “Sistemi i sigurisë”, sistemi ku ndodhen këto institucione, që përbëhet nga perimetri rrethues i godinës, deri ku shtrihet më tej ai i vëzhgimit apo kontrollit të autorizuar në rast nevoje të parandalimit të rrezikut, ai i sinjalizimit të hyrjeve të parregullta, metal-dedektorët, sistemi i kamera- vëzhgimit, ai elektronik i lejimit e kufizimit të aksesit në hyrjet e institucioneve, ruajtja e të dhënave të tyre, punonjësit e sigurisë.
III. RREGULLAT E SIGURISË
1. Hyrja në godinë:
a) Hyrjet kryesore të godinës mbikëqyren nga një ose disa punonjës të sigurisë.
b) Kryetari i institucionit përkatës autorizon personelin si dhe persona të tjerë, të hyjnë në ambientet e tyre, nëpërmjet një hyrjeje të veçantë.
c) Hyrja e veçantë, e parashikuar në shkronjën “b”, shërben edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari i institucionit përkatës.
2. Hyrja e automjeteve:
a) Hyrja e automjeteve në ambientet e institucioneve të përcaktuara sipas këtij vendimi realizohet përmes portave të veçanta për hyrjen e automjeteve.
b) Hyrja e automjeteve mbikëqyret me punonjës sigurie.
3. Siguria në godinën e institucionit:
a) Kryetari i institucionit përkatës, në bashkëpunim me titullarin e strukturës së policisë, përcakton rregulla të hollësishme lidhur me vendosjen e pajisjeve të nevojshme të sigurisë në hyrjen kryesore dhe në brendësi të godinës së institucionit përkatës, në varësi të shkallës së rrezikshmërisë të vlerësuar në vijimësi.
4. Rregullat bazë të sigurisë që duhet të përmbushen janë, si më poshtë vijon:
a) Pajisja me detektorë elektronikë, të cilët vendosen pranë hyrjes kryesore;
b) Vendosja e pajisjeve për fikjen e zjarrit;
c) Sinjalizimi i daljes së emergjencës;
ç) Harta e ambienteve të godinës së institucionit përkatës;
d) Pajisja me mjete të sigurisë (çelësa, karta apo mjete të tjera të kësaj natyre) e punonjësve të administratës së institucionit përkatës, me qëllim realizimin e hyrjes nëpërmjet hyrjes së veçantë të godinës së institucionit përkatës;
dh) Pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë, si dhe në server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë 6-mujore deri në 1 vit.
5. Informacioni i përmbledhur për rregullat bazë të sigurisë shpallet në një vend të dukshëm në ambientet hyrëse të institucionit përkatës.
IV. PERSONELI I SIGURISË
1. Personeli i sigurisë garanton rendin dhe sigurinë në:
a) hyrjet publike të institucionit përkatës;
b) portat për hyrjen e automjeteve dhe hapësirën e parkimit;
c) sallën e gjyqit, nëse i kërkohet nga kryetari i trupit gjykues. Në rastin kur ka të pandehur/të arrestuar është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ajo që bën shoqërimin dhe sigurimin e tyre;
ç) ambientet e tjera të brendshme të godinës së institucionit përkatës, të cilat përfshijnë kryesisht korridoret lidhëse pranë zyrave.
2. Personeli i sigurisë mund të kontrollojë hyrjen e godinës apo të kontrollojë automjetet dhe personat që dyshohen se përbëjnë rrezik për sigurinë e mjediseve, brenda një perimetri prej 5 metrash rreth godinës së gjykatës, duke nisur prej vijës së objektit.
3. Procedurat e verifikimit dhe të kontrollit të personave nga personeli i sigurisë janë, si më poshtë vijon:
a) Lejohet të verifikojnë identitetin e personave që hyjnë, qëndrojnë ose largohen nga ambientet e institucionit, nëpërmjet ekzaminimit të dokumenteve të identitetit të atij personi;
b) Në rast se personi që hyn nuk posedon dokument identifikimi, identifikimi i tyre mund të konfirmohet në një mënyrë tjetër të përshtatshme;
c) Në rast se identiteti i personit nuk mund të konfirmohet, personeli i sigurimit nuk lejon hyrjen në institucion;
ç) Kryen kontrollin fizik të personave që hyjnë, qëndrojnë ose largohen nga ambientet e institucionit, si dhe të sendeve që zotërojnë apo mbajnë me vete;
d) Ndarja në mes të atyre që përdorin hyrjen kryesore dhe atyre që përdorin hyrje tjetër do të bëhet në përputhje me rregullat e ligjit për protokollin e shtetit, për personat dhe personalitete që hyjnë në institucion pa kontroll fizik;
dh) Kontrolli sipas shkronjës “ç” mund të bëhet me këqyrje, përmes prekjes sipërfaqësore ose duke përdorur mjete të tjera të përshtatshme, të tilla si pasqyra ose detektorë;
e) Kontrolli që përfshin prekjen sipërfaqësore bëhet nga personeli i sigurisë me gjininë e njëjtë me personin që hyn, qëndron ose largohet nga ambientet e institucionit, përveçse nëse në raste të jashtëzakonshme kjo nuk është e mundur;
ë) Pajis personin që kërkon të hyjë në ambientet e institucionit përkatës me leje hyrjeje dhe regjistron këto të dhëna në regjistër:
– Emrin dhe mbiemrin e personit;
– Punonjësin/Zyrtarin pritës;
– Orarin e hyrjes dhe të daljes nga institucioni.
f) Në rast se personi nuk largohet brenda orarit zyrtar, punonjësi i sigurisë njofton kancelarin dhe, në mungesë të tij, kryetarin.
4. Regjistrimi i sendeve:
a) Personeli i sigurisë, me pëlqimin e personit që kontrollohet, mund të mbajë përkohësisht sende të personit, me qëllim për të lejuar personin të hyjë në ambientet e institucionit;
b) Regjistrimi i sendeve të mbajtura bëhet në formë të shkruar dhe me nënshkrimin e personit që posedon këtë send.
5. Rastet e moslejimit të mbajtjes së sendeve dhe të kafshëve:
a) Përveç rasteve përjashtimore të parashikuara në legjislacionin në fuqi, në ambientet e institucionit nuk lejohet mbajtja e sendeve si:
– armë zjarri;
– eksplozivë;
– thika të çfarëdolloj gjatësie;
– sende të mprehta ose me majë (duke përfshirë: brisqe, gërshërë, kaçavida ose çdo send tjetër të ngjashëm);
– spray për mbrojtje;
– pranga;
– lëndë dhe substanca narkotike;
b) Mbajtja e kafshëve;
c) Çdo mjet tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë dhe rendin në institucion;
ç) Në rastin kur mbajtja e sendeve të ndaluara përbën vepër penale, personeli i sigurisë autorizohet të ndalojë mbajtësin e tyre dhe të njoftojë menjëherë policinë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Rregullat e sendeve të ndaluara nuk zbatohen në rastet e personave, të cilëve me ligj iu lejohet mbajtja e armëve të zjarrit, ose sendet përbëjnë provë materiale dhe paraqiten si të tilla në gjykatë.
6. Detyrat e personelit të sigurisë janë, si më poshtë vijon:
a) Të sigurojnë ndalimin e hyrjes për personat, të cilët paraqesin rrezik për sigurinë e personave ose godinës në institucionin përkatës;
b) Të ushtrojnë kontroll personal nëpërmjet pajisjeve teknike dhe të inspektojnë çantat e personave që hyjnë në ambientet e brendshme të institucionit;
c) Të marrin masa për bllokimin e sendeve, mbajtja dhe futja në institucion e të cilave është e ndaluar sipas këtij vendimi;
ç) Të informojnë kryetarin për sjellje të dyshimta nga personat që gjenden në godinën e institucionit përkatës;
d) Të marrin masa për kufizimin e qarkullimit të automjeteve të palejuara në hapësirat e parkimit, në garazhe, si dhe në oborrin e institucionit përkatës;
dh) Të përdorin forcën fizike në përputhje dhe proporcion me rastet që e kanë diktuar atë dhe aq sa është e nevojshme për të shmangur apo neutralizuar situatën e rrezikut të krijuar;
e) Të raportojnë pranë kryetarit telefonatat që përmbajnë kërcënime të shprehura apo nënkuptojnë mundësinë e një rreziku për gjyqtarët apo punonjësit e institucioneve përkatëse;
ë) Të japin udhëzime të shprehura në zbatim të urdhrave të kryetarit;
f) Të mbajnë kontakte të vazhdueshme me institucione, si policia, spitalet, zjarrfikëset dhe ia raportojnë periodikisht kryetarit;
g) Të ndërmarrin kontrolle rutinë për pajisjet e sigurisë dhe t’i raportojnë kryetarit në rast të mosfunksionimit të këtyre pajisjeve;
gj) Të kryejnë evakuimin e godinës, në zbatim të urdhrit verbal të kryetarit. Në rastet e rrezikut të madh e të menjëhershëm, evakuimi mund të kryhet edhe pa urdhër të kryetarit;
h) Të informojnë menjëherë kryetarin, si dhe Policinë e Shtetit, për çdo ngjarje të rëndë që cenon sigurinë në institucionet përkatëse, e cila konstatohet pas orarit zyrtar.
V. DREJTIMI I PERSONELIT TË SIGURISË
1. Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë së shërbimeve të sigurisë nga Policia e Shtetit realizohen nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e kryetarit të institucionit përkatës dhe të titullarit të strukturës policore.
2. Kompetencat e kryetarit të institucionit përkatës janë, si më poshtë vijon:
a) Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e personelit të sigurisë në institucionin përkatës;
b) Jep urdhra verbalë për evakuim, si më poshtë vijon:
– Në rast rreziku brenda godinës, që nuk mund të evitohet në mënyrë tjetër;
– Në rast aktivizimi të sistemit të alarmit për rënien e zjarrit.
c) Merr kontakte të herëpashershme me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, për të siguruar rendin dhe sigurinë në ambientet e institucionit;
ç) Merr çdo masë tjetër të nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në ambientet e institucionit.
3. Kryetari i institucionit përkatës, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, miraton një rregullore të brendshme në të cilën përcaktohen detyrimet e masave të sigurisë dhe të veprimeve për të gjitha ambientet e institucionit.
4. Titullari i strukturës policore, që do të ngarkohet me sigurimin e këtij institucioni, ka për detyrë të përgatisë planin e vendosjes së shërbimit, duke marrë në konsideratë organikën e institucionit, detyrime që rrjedhin nga ky vendim dhe nga rregullorja e brendshme.
VI. INSTITUCIONET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe kryetarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe drejtori i Byrosë së Hetimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
(BalkanWeb)