Bayern Munich është një “tërmet” i vërtetë, një “tërmet” 9 ballë, duke e kthyer në makth debutimin e Arbër Hoxhës në Champions League, me yllin kuqezi që u aktivizua në minutën e 73-të pasi gjithçka ishte e mbyllur. Ekipi i Kompany ishte i papërmbajtshëm të udhëhequr nga një super Harry Kane i cili realizoi një “poker” golash, por tre prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë duke vendosur një rekord të ri në Champions, si lojtari që shënon më shumë penallti në një ndeshje të vetme. Kane hapi siparin, ndërsa Guerreiro dhe Olise realizuan dhe dy herë të tjera brenda pjesës së parë.

Me fillimin e pjesës së dytë, Neuer pësoi një dëmtim duke u ulur në stol, detaj që pati një imapkt të jashtëzakonshëm pasi Dinamo Zagreb realizoi dy gola të shpejtë duke ngushtuar shifrat në 3-2. Dy golat e kroatëve vetëm sa shkundën Bayern, pasi Harry Kane dhe Olise shënuan dy gola për katër minuta duke dërguar shifrat në 4-2. “Bomberi” anglez realizoi edhe dy herë të tjera nga pika e bardhë e penalltisë duke kompletuar “pokerin” personal të golave.

Bayern nuk u mjaftuan me kaq, por Sane dhe Goretzka shënuan dhe dy gola të tjerë duke sigluar shifrat në 9-2, një rekord i ri nga Bayern si ekipi që ka shënuar më shumë gola në historinë e Champions League në një ndeshje të vetme.

Një rekord personal vendosi edhe Myler, pasi kjo ishte ndeshja e tij e 152 në Champions me Bayern Munich, bëhet lojtari më me shumë ndeshje në Champions vetëm me një ekip, duke thyer rekordin që mbahej nga Xavi me fanellën e Barcelonës.

I qetë, por i kënaqur pasi këtij suksesi në ndeshjen e parë në Champions League u shfaq Vincent Kompany: “Jam i kënaqur për djemtë. Ishte një ndeshje argëtuese, ekipi tregoi entuziazëm. Edhe pasi pësuam dy gola u treguam të qetë, por duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë më”, u shpreh trajneri i Bayern pas ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb