Për 90 minuta në studion e CNN Donald Trump dhe Joe Biden nuk i kursyen përballjet e arritjeve të tyre në mandatet respektive në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë sipas New York Times jo gjithçka e parashtruar nga dy kandidatët presidencialë, të cilët përballen sërish pas 5 viteve ishte e vërtetë.

“Ajo që ai ka bërë ndaj komunitetit me ngjyrë është e tmerrshme, duke përfshirë se për 10 vite i ka cilësuar si superpredatorë”, u shpreh Trump për Biden.

Trump e ka përdorur këtë akuzë ndaj Biden edhe në debatin e tetorit të 2020-ës, por ky term është përdorur nga kundërshtarja e tij e vitit 2016, Hillay Clinton dhe jo Biden, ndaj ajo është e pavërtetë.

“Niveli i papunësisë së komunitetit me ngjyrë është në nivelin më të ulët në një kohë shumë shumë të gjatë”, u shpreh Biden mbrëmë.

Megjithatë kjo deklaratë e presidentit amerikan ka nevojë për kontekst pasi, edhe pse niveli i papunësisë është vërtetë i ulët, kjo deklaratë ka qenë e vërtetë edhe në vitin 2019 gjatë pandemisë.

“Shikoni koston e ushqimit, është dyfishuar, trefishuar dhe katërfishuar”, tha Trump gjatë ligjërimit të djeshëm.

Megjithatë kjo deklaratë cilësohet si e pavërtetë pasi çmimet e ushqimeve edhe pse janë rritur ndjeshëm nga viti 2021, ato nuk janë dyfishuar, trefishuar apo katërfishuar për shkak të inflacionit. Sipas normës së kostove për ushqimet, çmimi i tyre është rritur me 20% prej atëherë.

“Praktikisht ai u vendos kundër kundërshtarit të tij politik, pasi mendonte se do të më dëmtonte mua”, tha Trump për Biden, duke akuzuar se ky i fundit qëndron pas çështjeve të tij ligjore.

Deklarata e Trump nuk është e saktë, për arsye se hetimi ndaj tij ka nisur teksa ai ende ishte në detyrë.

“Unë shkova në varrezat e Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, ku ai refuzoi të shkonte. Ai po qëndronte me gjeneralin e tij, i cili më tha se ai u shpreh “nuk do të shkoj atje pasi ata janë një tufë me dështakë”, tha Biden për Trump.

Megjithatë cilësimi “dështakë” e ka origjinën nga një artikull i vitit 2020 të The Atlantic për marrëdhëniet e Trump me ushtrinë, të cilat ky i fundit vijon t’i mohojë, ndaj kjo deklaratë e Biden ka nevojë për kontekst të shtuar.

“Ata do të marrin jetën e një fëmijë në muajin e tetë, nëntë, madje dhe pas lindjes”, tha Trump duke iu referuar politikave të administratës së Biden për abortin.

Megjithatë vrasja e të porsalindurve është e paligjshme në çdo shtet të SHBA, ndërsa edhe abortet në muajt e fundit të shtatzënisë janë tejet të rrallë.

“Ai është presidenti i vetëm përveç Herbert Hoover-it, që ka humbur më shumë vende pune sesa kishte në fillim të mandatit”, tha Biden për Trump.

Edhe pse kjo është e vërtetë, presidenti aktual nuk qartësoi se kjo ndodhi për shkak se Trump u përball me pandeminë e koronavirusit pranë fundit të mandatit të tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb