Pak javë më parë disa foto të aktores së njohur, Ema Andrea, ndërsa puthej në buzë në mes të ish-Bllokut në Tiranë me piktorin Eldon Luarasi, bënë xhiron e rrjeteve sociale. Kandidatja për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, ndërkohë që është shumë aktive në debatin për teatrin, po shijonte edhe dashurinë e saj të re që nisi në fund të vitit që lamë pas, në vitin 2017.

Ata dukeshin shumë të lumtur dhe shkëmbenin mjaft komente dashurie në rrjetet sociale, po duket se direkt pas muajit të tretë të lidhjes së tyre të dashurisë, marrëdhënia e çiftit është në krizë, ose më mirë të themi, ata janë ndarë.

Të shtunën e kaluar aktorja ishte e ftuar në emisionin “Thumb”, ku la të nënkuptohej se ajo dhe i dashuri artist nuk janë më bashkë. “Për jetën time personale kanë folur shumë. Jetoj hapur. Nëse jam e lumtur, jam e lumtur, nëse jam e trishtuar si sot, jam e trishtuar. Gjëra që s’funksionojnë, ndikojnë. Ka momente që më ikën dashuria për jetën. Kur të ndodhin, hapi derën! Por kalon”, u shpreh ajo.
ema andrea
Kjo deklaratë la të kuptohej se rrugët e tyre janë ndarë, edhe pse Eldoni vazhdon t’i ruajë në profilet e tij në rrjetet sociale, pikturat që i ka bërë Emës, mes të cilave bëjnë përshtypje edhe nudot artistike. Nuk dihet, cilat janë arsyet që i çuan në ndarje, ose nëse thjesht pasioni u shua po me shpejtësinë që lindi. Kujtojmë, që Ema nisi histori të re me Eldonin direkt pasi i kishte dhënë fund një historie të gjatë 5-vjeçare me kuratorin 5 vite më të ri, Klod Dedja.

EMA ANDREA S’HEQ DORË NGA ARTISTËT, SI I DHA FUND ME KLODIN DHE SI U LIDH ME ELDONIN

Nuk dihet ekzaktësisht se kur ndodhi ndarja pas pesë vitesh nga kuratori Klod Dedja dhe kur nisi historia e re me piktorin Eldon Luarasi. Mbyllja e një lidhjeje të gjatë dhe nisja e një tjetre të re kanë ndodhur shumë shpejt, duke qenë se në fund të nëntorit u pa pranë Dedjas si bashkëpunëtorë në shfaqjen “Nëna dhe fëmija”.

Por disa ditë më vonë, miq të saj të afërm folën për një dashuri të re pasionante me piktorin e portreteve, Luarasin. Ishte Eldoni, i cili postoi në “Facebook” pjatën e preferuar që kishte gatuar me Emën, me statusin: “Rezultati i bashkëpunimit me të dashurën. Kush gatuan, kush shijon. Kohët kanë ndryshuar”. Me këtë frazë ai donte të tregonte se e privilegjuara në këtë rast ishte Ema, e cila shijon gatimet e të dashurit.

Kështu nisi të deklarohej hapur kjo histori e re dashurie mes artistësh, që po ashtu shumë shpejt mori miratimin e familjeve përkatëse, duke përfshirë edhe vajzën e Emës, Sara Kapon. Nuk vonuan dhe dedikimet e dashurisë që i bënin njëri-tjetrit në rrjetet sociale, ku nuk mungonte pasioni dhe epshi.

“N’barkun tem me ardh agu duket se ke prit”, ishte një prej diçiturave të piktorit Eldon Luarasi sipër nudos artistike, që i kishte realizuar aktores. Nëse hyn në profilin e Luarasit ende gjen fotot e nudove sensuale të Emes, foto, që ai ka ndarë me miqtë, me diçitura plot dashuri e romancë dhe që vazhdon i ruan si krijime artistike, që s’mund të fshihen me mbylljen e një relacioni. Duket që Eldoni e kishte marrë me shumë qejf Emën, pasi në një udhëtim të fundit në qytetin e Gjirokastrës, ai postoi foton e parë çift, me dedikimin “Ti më bën të buzëqesh”, duke marrë miratimin e disa zemrave të kuqe nga aktorja.

DY HISTORITË E EMËS/ PËR NJËRIN ISHTE BASHKËPUNËTORJA NË PROJEKTE, NDËRSA PËR TJETRIN MUZA E FRYMËZIMIT
Në prezantimet e Eldonit si piktor, thuhet se ai ka lindur në Tiranë në vitin 1966 dhe nisi të bënte pikturat e para në vaj kur ishte 16 vjeç. E duket se Ema ishte muza e tij tani që i ka kaluar të 50-at, pasi ai përveç fotove nudo, ka realizuar edhe portretet e para në pikturë të saj.

Partneri i fundit i Emës është 5 vite më i madh se ajo në moshë, duke pasur parasysh vitin e lindjes së artistes, 1971. Duke u bërë ajo personazhi femëror prej të cilit ai frymëzohej, ai kishte aftësinë t’i nxirrte më në pah sensualitetin dhe shpirtin e lirë Emës. Ndërsa me Klodian Dedjan ishte ndryshe, pasi ata përveçse të dashur, ishin edhe bashkëpunëtorë në realizimin e projekteve artistikë.

Marrëdhënia e tyre dashuri&punë jo më kot zgjati pesë vite, pavarësisht diferencës së moshës, pra, ai pesë vite më i ri. Në fillim të lidhjes ata prezantoheshin si bashkëpunëtorë, por në vitin 2014 Ema Andrea ndihej 100 për qind e sigurt në krah të kuratorit bashkëkohor përderisa

vendosi të bënte një deklaratë publike për statusin e saj shpirtëror. Ajo e prezantoi të dashurin e saj në një intervistë gjatë programit “Kontrata”, që prezantohej në atë kohë nga Sonila Meço.

Gjatë emisionit, dy të dashuruarit ishin ulur përballë njëri-tjetrit, në rrëfimin e tyre të parë për bashkëpunimet artistike dhe lidhjen e tyre. Në këtë intervistë, Ema Andrea pati dëshirën ta prezantonte më shumë se thjesht një bashkëpunëtor. Fakti që ai ishte 5 vite më i ri se ajo, duket se nuk e pengoi përputhjen e tyre si çift. Edhe pse Ema, kishte hezituar fillimisht bërjen publike të lidhjes, ishte Klodi ai që pranoi ftesën e Sonila Meços për të qenë personi surprizë më i dashur për Emën, si një përgjigje dashurie ndaj saj.

Pas këtij momenti të veçantë televiziv, Ema e emocionuar preferoi ta përkufizonte kështu lidhjen e saj me këtë djalë: “Tani që e gjeta Klodin, nuk e lëshoj më”. Lidhja e tyre prej pesë vitesh ishte shumë intensive me bashkëpunime profesionale, udhëtime dhe argëtime me miqtë. Ndërkohë që në fotot e përbashkëta nuk i kanë fshirë as njëri dhe as tjetri nga albumet e tyre fotografike. Nuk dihet, nëse Ema do të lidhet sërish me një artist, edhe pse ajo u shpreh se ka shumë dashuri për të dhënë dhe nuk e kupton dot veten pa dashuri, pasi i duket sikur plaket. Ema, aktualisht, është kthyer në ekran, në panelin e jurisë së spektaklit “Dancing with the Stars”.
Burimi: http://www.panorama.com.al/panoramaplus/nga-klodi-tek-eldoni-si-marrin-fund-historite-e-dashurise-se-ema-andreas-me-artistet/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: