Pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji, Partia Demokratike ka nisur dosjen e plotë shpjeguese në kancelaritë dhe mediat kryesore të botës. PD akuzon se dënimi i ligjvënësit demokrat dy ditë më parë nga Gjykata e Apelit ka motive politike.
BalkanWeb mëson se PD i ka dërguar dosjen e Salianjit Kongresit të SHBA dhe prestigjiozes New York Times, por edhe zyrave të tjera të kancelarive perëndimore.
Në 15 pika shpjegohet shkurtimisht saga e denoncimeve të cilat nisën në vitin 2018 kur Ervin Salianji publikoi vendimin e formës së prerë të Gjykatës Italiane, i cila kishte dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj.
Në dosje është pasqyruar fakti se pas këtyre denoncimeve, Agron (Geron) Xhafaj shkoi në burg në Romë, Itali, ndërsa vëllai i tij, Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dha dorëheqjen nga detyra.
Në dosje ndër të tjera sqarohet se “vendimi politik për burgosjen e opozitarit Ervin Salianji u bë nga trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala dhe Iliba Bezati”.
“Genti Shala është ish-përfaqësues politik i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë, ku dihen lidhjet e forta të Fatmir Xhafajt”, thuhet në dosje.
Dosja e PD dërguar kancelarive
(BalkanWeb)