TIRANE- Nga korriku i këtij viti do të ndëshkohet çdo biznes që prodhon, importon apo tregton qese plastike. Vendimi i Këshillit të Ministrave është prezantuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit me grupe interesi, prodhues dhe importues të qeseve plastike.

Dy muaj pas miratimit të këtij vendimi parashikohet gjobitja e çdo biznesi që tregton me qese plastike nën 35 mikron me një vlerë nga 1 milion deri ne 1.5 milion lekë të rinj. Këto masa janë në radhë të parë për prodhuesit importuesit e mëdhenj, por ligji nuk përjashton as tregtarët më të vegjël: supermarketet, marketet, dyqanet, apo çdo subjekt që pas dy muajsh do të tregtojë mallra me këto ambalazhe.

Ministri Klosi theksoi se VKM hyn në fuqi dy muaj pas miratimit kjo për t’i dhënë kohë biznesit të këtij produkti që të marrë masat e shndërrimit të teknologjisë.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se marrja e kësaj mase drastike ishte diktuar nga situata e rënduar në mjedis si pasojë e konsumimit të qeseve plastike. Qeset dëmtojnë peisazhin, ekosistemin dhe shendetin e qytetareve, ndaj kreu i Turizmit dhe Mjedisit, ftoi qytetaret dhe bizneset që të refuzojnë përdorimin e tyre.

Ministri Klosi paralajmëroi gjithashtu se pas vendimit për ndalimin e qeseve plastike, priten edhe vendime të tjera drastike si për makinat në fund të jetës, pikat e skrapit, etj pjesë e 15 nismave pro mjedisit.

Fjala e ministrit Klosi
Mirëdita dhe shumë faleminderit për kritikat e vazhdueshme që keni bërë në mënyrë të vazhdueshme karshi ministrisë, mbase kështu duhet të fillojë çdo bisedë në kuadër të bashkëqeverisjes, shumë faleminderit që keni ngritur një nga shqetësimet e funksionimit të të githë sistemit të mbrojtjes së mjedisit në vendin tonë. Jemi në këtë takim së bashku në vazhdën e shumë takimeve që kemi bërë për të diskutuar, problematikat që ka mbrojtja e mjedisit dhe jemi në fazën që po përmbyllim një nga operacionet më të mëdha që ka ndërmarrë Ministria, të quajtur “Clean&Green 2020”, në fazën e tij të parë ku kemi caktuar disa pika të cilat ne donim të bënim ndërhyrje radikale për të shkuar jo vetëm në aksione pastrimi në një ditë kur jemi marrë shumë me pastrimin e mjeidsit, por për të luftuar shkaqet nga të cilat ne mendonim se e bënin pis Shqipërinë. Kemi vepruar në shumë prej tyre, por duke punuar çdo ditë kuptojmë se shumë të tjera na presin, ndaj ne jemi me operacionin tonë me qëllimin që të pastrojmë Shqipërinë deri në vitin 2020 për ta bërë atë një vend të krahasuehëshm pse jo, vendin më të pastër në rajon dhe pse jo vendin më të gjelbëruar në rajon.

Në këtë kuadër kemi biseduar shpesh me ju dhe kemi listuar problematikat ku njëra prej tyre që duket më e çuditshmja ishte reduktimi i qeseve plastike, i prodhimit, importimit të qeseve plastike të cilat janë të pabiodegradueshme dhe që në një mënyrë ose një tjetër kanë ndikuar qartë në gjithë qenien e papastër të Shqipërisë. Në këtë kuadër një nga vendimet e para që është marrë ka qenë qeset plastike. Një vendim i marrë nga qeveria në vitin 2012 për të bllokuar përdorimin e qeseve plastike, por do të duhej kërkesa e vazhdueshme e një grupi ekspertësh, që të ndërmerrnim një vendim të ri politiko-administrativ për të bllokuar përdorimin, prodhimin dhe importimin e qeseve të cilat në Shqipëri vazhdojnë të tregtohen qese që janë më të vogla se 35 mikron, qese të cilat janë të pabiodegradueshme dhe qese që e ndosin mjedisin shqiptar në mënyrë të pashpjegueshme.

E morëm këtë vendim dhe do të shohim veprimin. Sa do të jemi të zotë që ne si institucionet qendrore në bashkëpunim me institucionet lokale, sa do të jemi të koordinuar me grupet e shoqërisë civile dhe sa do jemi ne të bashkërenduar me qytetarët që ndalimi i qeseve plastike të ndodhë realisht në Shqipëri. Mbaj mend që ky debat ka qenë gjithmonë, kemi mbështetur në ministrinë e rinisë një program për prodhimin e trastave, ka pasur shumë aktivitete, iniciativa të pushtetit lokal, bashkia e Tiranës ka qenë lider në këtë proces por prapë qeset plastike na shoërojnë kudo nëpër Shqipëri, prandaj unë them që kjo bisedë ka ardhur momenti që të vijojë me një fushatë dy mujore, për ta bërë shoqërinë më refraktare ndaj qeseve plastike, që të refuzojë përdorimin e qeseve plastike dhe pastaj të vazhdojmë me aksione të tjera që kemi ndërmarrë të cilat shkojnë në debatin që kemi hapur për pikat e grumbullimit të skrapit.

Kemi bërë disa konsultime publike me grupin e biznesit. Është një debat i hapur që do ta bëjmë deri në fund, por Shqipëria nuk mund të jetë siç është sot, një varrezë masive e makinave të vjetra të ardhura nga Evropa, një varrezë e hapur publike. Nga veriu në jug, rrugët nacionale janë të mbushura me varreza makinash, mbase është gjëja më e thjeshtë por ky nuk është biznes. Ne jemi pro biznesit të ndershëm dhe duam ta mbështesim por me rregulla dhe biznesi të ketë padyshim një raport me qytetarët. Po kjo bisedë

është bërë për guroret, kemi miratuar se bashku me ministrinë e Energjitikës, rregullat e reja të funksionimit të guroreve të cilat i mbështesim si biznes pasi është një pasuri në Shqipëri, por nuk mund të jetë biznesi në konflikt të hapur me qytetarët, me jetën e njerëzve. Si pasojë e bashkëveprimit me reagimin qytetar tashmë mendoj se jemi në fazën që mjedisi realisht është një temë e përditshme. Çdo ditë në plaftormën e bashkëqeverisjes ne marrim opinionet e qytetarëve, vërejtjet, komentet të cilat ne duam shumë t’i ndjekim që të gjitha. Ndaj vazhdojmë që të bëjmë thirrje që si kjo nismë e sotme që erdhi si nismë e një grupi intelektualësh, në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes dhe ne e cuam deri në zbatim. Ne ndoqëm problematikën e gropave të qëlqeres në malin e Krujës. Unë nuk jam ambjentalist,por unë jam një prind dhe kur e kam parë vetë sesi në malin e Krujës, kaq të spikatur nga historia, në malin kaq pranë Tiranës, Durrësit, zonës turistike të digjeshin mbetje në mënyrë aq kriminale, këtë nuk mund ta pranojë dot një qytetar i thjeshtë dhe jo më ta pranojnë kaq shumë mendje patriote. Po kështu biseda për shumë e shumë faktorë të tjerë që ndotin, dhe ne duhet të ndahemi me forcë nga idea :”Kjo është Shqipëria dhe nuk ka mundësi të rregullohet”. Jo. Ka mundësi që të rregullohet. Ka shumë mundësi me pak vendime të guximshme, dhe ne mund të bëjmë shumë përpara. Pra gjërat të diskutohen me forcë në të mirë të atdheut. Ne duhet të jemi të gjithë së bashku për të pastruar dhe me mbështetjen e grupeve rinore, të paktën plazhet t’i kemi të pastra me buxhet zero. Është e gjitha lëvizje vullnetare që kërkon të sensibilizojë shoqërinë.

Këtë përpjekje që po bëjmë edhe sot brenda filozofisë së re të bashkëqeverisjes, dhe pranimit nga ana e qeverisë me kokulur të të gjitha problematikave që ka pasur mjedisi në 27 vite, si kjo e qeseve plastike që 5 vjet më parë ka dalë një vendim që nuk u zbatua kurrë, ne t’i marrim përsipër t’i zgjidhim.

Është e vërtetë që vendimi kërkon masa drastike, kërkon që 2 muaj pas hyrjes në fuqi, të mos ketë më përdorim të qeseve plastike, masa e gjobës është e një niveli të konsiderueshëm nga 10 milionë deri në 15 milionë lekë të vjetra kushdo përdorues apo prodhues i këtyre qeseve plastike por përsëri e jgithë kjo do të jetë një fushatë jo vetëm pjesë e goditjes së organeve ligjzbatuese, por duihet të jetë një përpjekje e përbashkët e gjithë qeverisë që ta refuzojmë këtë fenomen sepse na dëmton shumë dhe nuk është një kërkeëse shqiptare, pasi bota e ka bërë prej kohësh.

Duhet ta rrisim opinionin publik në këtë drejtim. Një fushatë do të bëjmë gjatë muajve qershor korrik gusht edhe brenda projektit “Smile Albania” ku të gjithë të rinjtë të mirëpresin turistët por bashkë me këtë duam që të bëjmë edhe edukim mjedisor. Një nga mesazhet që do të shpërndajnë të rinjtë do të jetë mospërdorimi i qeseve plastike. A do t’ia dalim? Besoj që po, nese kemi një aleancë të qëndrueshme me ju, por edhe me qytetarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb