“Një linjë ajrore direkte që lidh Shqipërinë me Kinën besoj se do të shënojë një bum të pallogaritshëm të fluksit të turistëve kinezë drejt vendit tonë, por edhe Rajonit”, u shpreh Riza Poda, kandidati për ambasador i Shqipërisë në Kinë, rezident, si dhe në Bangladesh, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Popullore Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe Mbretërinë e Tajlandës, jorezident.
Poda ishte i pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Jashtëm parlamentar, ku tha se gjatë 3 mandateve të tij si ambasador ka realizuar vendosjen e linjave ajrore direkte me Shqipërinë dhe vendeve ku ka shërbyer si diplomat.
Në këtë kuadër ai tha se linja direkte me Greqinë u vendos, sikundër edhe me Kroacinë dhe Republikën Çeke.
Dhe nisur nga eksperiencat e mëparshme, Poda u shpreh se vendosja e një linje direkte fluturimi mes Shqipërisë dhe Kinës do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht sa i takon rritjes së fluksit të turistëve nga Kina drejt Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kandidati për ambasador tha se mungesa e një linje direkte fluturimi Pekin-Tiranë-Pekin përbën një nga shkaqet jofavorizuese si për rritjen e shkëmbimeve tregtare ashtu edhe për numrin e vogël të turistëve kinezë në vendin tonë.
Dhe në këtë kuadër, Poda tha se hapja e linjës direkte të fluturimit Pekin-Tiranë-Pekin do të jetë një nga sfidat dhe objektivi parësor gjatë mandatit të tij si ambasador në Kinë.
“Kina përbën një treg me përmasa kontinentale, me potencial kolosal tregtar dhe turistik të pashfrytëzuar si duhet nga ana jonë për arsye të ndryshme.
Vendosja e një linje direkte fluturimi do të ndikojë në hapjen më shumë të tregut kinez për eksportet shqiptare.
Kjo do të realizohet fillimisht përmes finalizmit të dy protokolleve për eksportet e produkteve bujqësore”, theksoi Poda.
Referuar faktit se Kina është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë për vitin 2023, me tendencë rritje për vitin 2024, Poda theksoi se objektiv i mandatit të tij do të jetë edhe hapja e tregut kinez për eksportet e bulmetrave dhe mjaltit, por dhe produkteve të tjera të frutikulturës, agrikulturës dhe produkteve të detit.
Në vijim të fjalës së tij para Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Poda tha se prioritete të tjera të punës së tij si diplomat do të jenë forcimi i dialogut dypalësh ndërshtetëror në të gjitha nivelet, si dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve që zhvillojnë aktivitete në Kinë.
“Do të ruaj qëndrime elastike dhe të balancuara në përcjelljen e mesazheve të interesave të Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe dhe njëkohësisht të qëndrimeve tona si vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE për çështje të ndjeshme për Kinën”, u shpreh Poda.