BERAT

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dha nga qyteti i Beratit një intervistë për gazetarin e “News24” dhe “BalkanWeb”, Osman Stafa, ku u ndal te takimet e tij të zhvilluara me qytetarët në qytete të ndryshme të vendit.

Basha tha se qytetarët e kuptojnë që ajo që u ka ndodhur në këto 8 vite ka qenë një aksident, dhe se sipas tij, ndryshimi fillon me largimin e Edi Ramës më 25 prill.

I pyetur nga gazetari Stafa për marrëveshjen me LSI dhe faktin që dy partitë kanë programe të ndryshme dhe po bëjnë fushatë të ndarë, Basha u shpreh se “Nuk ka asgjë që na ndan, as ne dhe as shqiptarët. Ne na bashkon dëshira për ndryshim, dëshirë që e prek kudo”.

Pyetja: Zoti Basha, keni zhvilluar një takim me qytetarë dhe mbështetës në qytetin e Beratit, por ndërkohë më herët këto javë keni zhvilluar edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Çfarë mund të na thoni diçka specifike nga komunikimi që keni patur me qytetarët që ju ka mbetur në mendje?
Lulzim Basha: Ajo që mund t’ju them në këtë moment, meqë jemi edhe buzë Osumit dhe fryn era, era që ndjej kudo ku shkoj; është era e ndryshimit. Që shqiptarët e kuptojnë se ajo që u ka ndodhur në këto 8 vite, ka qenë një aksident. Dhe se ky aksident nuk mund të përcaktojë të ardhmen e tyre, se e ardhmja e tyre është ndryshim i dhe se jemi të gjithë të bashkuar për ta bërë ndryshimin të mundshëm. Ndryshimi fillon me largimin e Edi Ramës më 25 prill dhe me kthimin e institucioneve të shtetit dhe të politikave mbështetëse ndaj njerëzve në krye të politikës së qeverisë së re. Që do të thotë një politikë për njerëzit, një politikë me fytyrë njerëzore, institucionet të hapura që u shërbejnë njerëzve. Pra, ajo që shoh është besimi që po u rikthehet fuqishëm se nuk ka asgjë mangut ky vend, nuk ka asgjë të keqe me Beratin, me Shqipërinë, por problemi ka qenë keqqeverisja dhe me 25 Prill shqiptarët janë tё vendosur t’i japin fund kësaj keqqeverisje pёr tё ndryshuar, nё mënyrë qё gjithsecili prej tyre tё rikthehet siç e meriton; aksioner i përbashkët i familjes tonё tё madhe dhe i vendit tonё tё mrekullueshëm.

Pyetja: Duke parё pritjet qё ju janë bёrё nё qytetet e ndryshme tё vendit, kryeministri Edi Rama ёshtё shprehur se do marrё masa ndaj këtyre grumbullimeve qё sipas tij ju keni bёrё duke rrezikuar jetën e qytetarëve nga COVID-19.
Lulzim Basha: Rreziku mё i madh pёr jetën nё këto 8 vite ka qenë vet Edi Rama. Ky rrezik ёshtё shumëfishuar nё mënyrën se si ai e keqmenaxhoi pandeminë. Mos harroni se qytetarët e Beratit na kujtuan sot, tё Gjirokastrës dje, nuk kanё dhёnё as ndihmën mё minimale pёr bizneset shumica prej tё cilëve janë shtyrë drejt falimentit apo kanё pezulluar aktivitetin. Nuk kanё dhёnё ndihmën minimale pёr familjet qё kanё humbur vendin e për shkak të pandemisë. Ndërkohë që flasim, ka mijëra familje shqiptare që dergjen me të sëmurë me COVID, të cilëve pas insistimit tonë të fuqishëm, ju premtua rimbursim, por nuk u jepet rimbursimi dhe harxhojnë kursimet apo të ardhurat e një viti për një pacient, por kur kanё 2, kur kanë 3 pacientë. Këto janë problemet e vërteta të shqiptarëve sot dhe përgjegjësi i vetëm për këtë situatë është Edi Rama, me politikën e tij të babëzisë, të gënjeshtrës, të hipokrizisë dhe të premtimeve boshe dhe është fare e qartë që është i trembur nga kjo që po vjen, sepse është me të vërtetë bashkimi më i madh i shqiptarëve, madje do të thoja përtej ndasive politike për të vendosur edhe njëherë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit, në rrugën e përparimit dhe në rrugën e integrimit europian, që do të pamundësojë që Shqipëria të bjerë përsëri në një batak si ky i 8 viteve, ku fatet e çdo qytetari dhe familjeve mbetën në dorën e një njeriu dhe e pamë se çfarë bëri, ja dorëzoi Shqipërinë, ja dorëzoi Beratin një grupi oligarkësh, pasuroj një grusht njerëzish dhe varfërojë një popull të tërë duke çuar Beratin, Gjirokastrën, Shkodrën gjithë Shqipërinë drejt zbrazjes, drejt emigracionit. Me 25 prill kjo do të ndryshojë, sepse me 25 prill do ta kenë shqiptarët në dorë dhe me votën e tyre masive do të vendosin për të ardhmen e tyre. Ne kemi për detyrë t’ju japim planet, zgjidhjet për të cilat ata do të votojnë. Detyra ime, detyra e ekipit tonë është t’ju tregojmë se si këto potenciale të jashtëzakonshme të popullit tonë dhe të vendit tonë do ta bëjnë të mundur daljen nga kriza. Ndërsa detyra e çdo qytetari që e do familjen e vet, fëmijët e vet, prindërit e vet është të dalë më 25 prill dhe ti japi zë, ti japi forcë dëshirës për ndryshim me votë, me votën e tij, me votën e familjarëve të tij me 25 prill.

Pyetje: Zoti Basha ju keni firmosur një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim për bashkëqeverisje pas 25 Prillit, por fushatat tuaja do të zhvillohen të ndara? Dhe për sa i përket programeve tuaja sepse ka disa pika në programet respektive ku ndryshojnë. A do të ketë njehsim?
Lulzim Basha: Nuk ka asgjë që na ndan, as ne dhe as shqiptarët. Ne na bashkon dëshira për ndryshim, dëshirë që e prek kudo. Në fakt nëse mund ta them për shumë njerëz ndryshimi ka filluar prandaj i shikoni me sytë e mbushur me shpresë. Me këtë lëvizje që ndiej kudo jam i bindur se ky bashkim do të jetë historik, në kuptimin do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve dhe do të jetë një mësim i mirë për këdo që mos ta provojnë më kurrë që një njeri i vetëm apo një grusht njerëzish të monopolizojnë pushtetin, ekonominë, të varfërojnë njerëzit. Ajo që na bashkon është dëshira për ndryshim, si parti politike dhe si shqiptarë. Dhe 25 Prilli është dita e ndryshimit me votë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb