Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në Nju York, ku do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (22 – 30 shtator 2024).
Ministri Hasani pritet të firmosë disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë, një prej angazhimeve kryesore të kryediplomatit shqiptar, që prej marrjes së mandatit si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjithashtu, ministri Hasani do të ketë takime dypalëshe me homologët e Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj.
Gjatë javës së nivelit të lartë, Shqipëria, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë dhe drejtojë disa takime, në cilësinë e anëtares së OKB-së por edhe të kryesueses së nismave rajonale si: Karta e Adriatikut, Nisma e Evropës Qendrore dhe Procesi i Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.
Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Beijing+30: drejt një bote me barazi gjinore, mbajtur në Nju York, ku ministri Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.
“Le të ndërtojmë një të ardhme ku gratë dhe vajzat fuqizohen për të përmbushur potencialin e tyre dhe për të kontribuar në mënyrë domethënëse në përmirësimin e shoqërisë. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”, tha ai.
Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit (2022-2023) dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.