Kreu demokrat Sali Berisha gjatë një takimi të organizuar nga dega e PD-së së Kamzës, tha se në territorin e Shqipërisë nuk do ketë njeri që do paguajë një punëtor më pak se 500 euro në muaj.

Berisha tha se qeveria e PD-së do të vendosë minimumin jetik për çdo banor të këtij vendi, duke theksuar se nuk do ketë shqiptar që të mos marrë 200 euro.

“Mbi këtë bazë do llogariten pensionet. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush se 500 euro nuk nënkupton vetëm rrogën në administratë shtetërore, jo, në territorin e Shqipërisë nuk do ketë njeri që do paguajë një punëtor më pak se 500 euro në muaj.

Absolute! Ligjet do mjerojnë atë që do mendojë të paguajë më pak se kaq.

Ne e kuptojmë se kjo është një barrë për sipërmarrjen, por ne qëndrojmë për t’i lehtësuar ato në mënyra nga më të shumtat, në mënyrë që ata të mos paguajnë punëtorin kurrë më pak se 500 euro.

Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.

Çfarë ndodh në këto 12 vite? Në këto 12 vite ka ndodhur diçka shumë e veçantë, në qoftë se pensionet kanë ngelur, një pensionist blen 40 përqind më pak se në vitin 2013, rrogat e larta u rritën në qiell.

Rrogat e larta në Shqipëri janë më të lartat në rajon, disa prej tyre edhe më të larta se Sllovenia, e cila ka kapur vendet e zhvilluara të BE. Pra, krijohet kështu një nomenklaturë gjakpirëse, e cila nuk pyet për askënd përveç vetes së vet. Kjo merr fund”, tha Berisha.

Gjersa shqiptarët të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në gjithë rajonin, rrogat e larta nuk do rriten asnjë qindarkë.

Cilido që do u thotë ju, ku janë këto para, unë e kam ftuar Edi Ramën të dalë me mua në studio televizive po ia mbajti, t’i tregoj se ku janë paratë, por nuk del dot se ia nxjerr vjedhjet një e nga një.

Paratë janë miqtë e mi, sepse kemi pasur gjysmën e këtij buxheti, kemi dyfishuar rroga dhe pensione dhe kemi ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë.

Po pse? Sepse nuk mundet të ndërtonim ne një rrugë me 10-fishin e çmimeve që ndërton Kroacia tani. Në Kroaci, një km autostradë, 27 metra e gjerë, midis Manastirit dhe Bjelli Osekut, kushtuan gjithsej 27 milionë euro. 1.6 mln për kilometër. Merrni pak sa ka kushtuar Rruga e Arbrit, rruga që nuk mbaron kurrë. Gjer tani ka arritur 11 milionë euro për kilometër.

Unaza e Tiranës ka shkuar nga 32 milionë tek Shqiponja, tek 16-17 milionë në zonën tjetër afër Linzës. Me këto çmime nuk ndërton kush në botë.

Çfarë ka bërë Rakip Velia këtu në Kamëz? U ka futur buldozerin 10 shkollave që nuk kishin asnjë dëmtim nga tërmeti dhe i ka rindërtuar me çmimin 5 deri në 7 herë më shtrenjtë se sa është standardi evropian i ndërtimit.

Miq, ndërtimet kanë manuale që tregojnë se ky material ndërtimi kushton kaq e kaq. Cilido që sheh këto manuale, çmimi i materialeve të ndërtimit nuk është rritur më shumë se 30-35 përqind. Çmimi i materialeve të ndërtimit për Rakip Velinë është rritur 600-700 përqind.
Pra, ja ku janë paratë. Çfarë dua të them me këtë? Që këto para jo vetëm dalin për të realizuar këto objektiva, por u garantoj se këto para do dalin për të ndërtuar projekte shumë më të mëdha se këta”, tha Berisha.

Duke u ndalur te pensionet, kreu demokrat theksoi se Kosova dha 50 milionë euro për pensionistët që jetojnë jashtë vendit, kurse Edi Rama ka dhënë 16 milionë euro për 780 mijë të moshuar.

“Sot, pensionisti në Kamëz, Kukës dhe kudo merr një pension 350 përqind më të ulët se sa pensionisti malazez. Merr 450 euro, merr 160 euro.

Sot, pensionisti në Maqedoni merr një pension 280 përqind më të lartë se pensionisti në Tiranë dhe në Kamëz.

Sot, pensionisti në Bosnje merr një pension 320 përqind më të lartë se në Tiranë.

Sot, pensionisti në Serbi merr një pension 330 përqind më të madh se në Tiranë.

12 vite kjo qeveri kreu krimin më të shëmtuar, i ngriu rrogat dhe pensionet dhe i futi shqiptarët në gropën e varfërisë dhe mjerimit.
Në vitin 2013, rroga minimale në Rumani ishte rreth 30 euro më e ulët se në Shqipëri, ishte gjithsej 160 euro. Sot pas 12 vitesh, rroga minimale e rumunëve është 3300 euro.

Po pse ky ndryshim kaq i madh?

Sepse çdo qeveri që ka minimumin e përgjegjësisë përpara qytetarëve të vet është e detyruar që të ardhurat që mbledh, t’i shpërndajë për qytetarët.

Është e detyruar që të ardhurat që mbledh, të ndajë një pjesë të madhe për rroga dhe pensione dhe pastaj të ndërtojë objekte, rrugë, shkolla, etj.

Çfarë ndodh me ne miq? Ku shkojnë?

Këtë vit, buxheti ishte 8.2 miliardë euro. Nuk kishte gjë më cinike, qesharake dhe të ulët se sa nga 8.2 miliardë euro, të caktosh për 780 mijë pensionistë 16 milionë euro.

A ka tallje më të madhe?

Ndaj dhe ne hapim një dialog me çdo qytetar të këtij vendi, të Kamzës dhe mbarë Shqipërisë, me zotimin solemn se ne kësaj situatë, do i japim përgjigjen më të fortë, më të fuqishme jo në 3 vitet e para të pushtetit tonë, por në 3 muajt e parë të pushtetit tonë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb