Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka njoftuar se për të dytin vit radhazi janë hapur aplikimet e punonjësve të administratës publike për të përfituar kredi të lehtësuara për banesa, bazuar në Ligjin nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar. Sipas saj, në bazë të vendimit të 19 qershorit 2024 të Këshillit të Ministrave, janë 300 kuota për kredi të lehtësuara për administratën publike ku përfitues do jenë arsimtarë, mjekë, infermierë, policë, ushtarakë, punonjës të gardës, veterinerë, etj.
Ministrja informon se aplikimet do të jenë të hapura deri në datën 14 gusht 2024.
“90 nga kuotat do të jepen për Ministrinë e Brendshme, 90 për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 45 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 15 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ditën e djeshme solla në vëmendje rastin e Florinit, punonjës policie në Drejtorinë Vendore në Shkodër, bashkëshort dhe babai i një djali. Me hapjen e mundësisë për kredi me zero interes për banesa vjeshtën e kaluar, inspektori aplikoi dhe në përfundim të procedurave bleu një banesë ku jeton prej muajsh bashkë me familjen e tij.. Kemi po ashtu rastin e doktoreshë Blertës, bashkëshortit dhe dy binjakët e sapoardhur në jetë e cila rezultoi fituese nga faza e pare e programit të kredive.
Aplikimi kryhet online përmes portalit unik e-albania dhe do të qëndrojë i hapur deri në 14 gusht. Kjo do t’u mundësojë punonjësve të administratës aplikim të shpejtë dhe të lehtë, me një procedurë që përfundon në pak minuta.
Si qeveri jemi të vendosur për t’i dhënë mbështetjeje afatgjatë familjeve të reja të atyre që i shërbejnë pa u lodhur qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, shprehet ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali.
(BalkanWeb)