Është ekstraduar nga shteti grek drejt vendit tonë mesditën e kësaj të mërkure, i shumëkërkuari Laert Haxhiu. Pas shkëmbimeve të disa letër porosive mes shtetit grek dhe shqiptar, u arrit marrëveshja e ekstradimit nga shteti helen në Shqipëri, ku pritet të përballet me akuzat të cilat rëndojnë mbi të.
Por kush është Laert Haxhiu dhe si përfundoi të cilësohej ‘’person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore..’’
Laert Haxhiu ishte fëmijë kur banda e Aldo Bares i dogji shtëpinë, i vranë dhe të afërmit.
Laert Haxhiu rezulton një person që nuk ka arsim të lartë, por një CV të pasur me vepra penale, ishte vetëm 18 vjeç kur Laert Haxhiu goditi me thikë Gerti Lalën, ky i fundit njihej si ‘iriqi’.
Bashkë me shokët e tij e qëlluan tre herë me pistoletë në kokë Gerti Lalën, në hyrje të pallatit të tij. Teksa dyshohet se në krim mori pjesë edhe Orges Bilbili.
Ishte nëna e Gerti Lalës që i identifikoi ata si vrasësit e të birit. Laert Haxhiu u shpall fajtor për vrasjen dhe doli nga burgu në vitin 2014.
Kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, kur u arrestua në 2015-ën për trafik droge. Haxhiu tentoi t’i shpëtonte policisë, por pasi u hodh nga 3-4 metra lartësi, theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin.
Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u dënua me vetëm 17 muaj e 10 ditë burg, megjithëse policia i gjeti 1.2 kilogram kokainë.
Ndërkohë ia doli të ekzekutojë dy të rinj dhe të largohet në drejtim të paditur. Laert Haxhiu bashkë me shokun e tij Orges Bilbilin. dy vrasësit e rrezikshëm i janë vënë pas Xhulio Shkurtit, që më shumë se te policia, duhet t’i besojë fatit të tij të mirë.
Babai i tij nuk pati të njëjtin fat. Ramadan Shkurti, vëlla me Aldo Baren (Alfred Shkurti) u ekzekutua nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij.
Nga aty ka nisur zinxhiri i vrasjeve që vijon ende sot pas rreth 20 vitesh.
Ngjarja që e bëri të njohur për të gjithë publikun Laert Haxhiun është masakra e Lushnjes.
Laerti, asokohe vetëm 25 vjeç, ekzekutoi bashkë me shokun e tij, Orgesin, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Shënjestra ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti. Më 11 shtator 2017, ata hynë me automatik në krah në një lokal në Lushnje, duke i lënë të vdekur dy të rinjtë, ndërsa shënjestra shpëtoi.
Teksa ishte miku i tij Artan Tafani i cili grabiti një Exchange në zonën e Astirit, pas disa kohësh kërkime policia arriti që ta arrestojë, ky i fundit u kthye në Pentito, çka i kushtoi edhe miqësinë me Laertin.
Laert Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e policisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri.
31-vjeçari ka urdhëruar dhe dy vrasje në Greqi. Të gjitha këto krime kanë ndodhur nga vitit 2018 deri në vitin 2021-shin. Ata vranë Çajup Selimin, Fridman Xhaferajn, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun.
Ka qenë pikërisht njeriu i tij i afërt, Laert Tafani i cili zbuloi të gjitha ngjarjet që i kishin planifikuar në grup me në krye Laert Haxhiun.
Teksa në të gjithë ngjarjet ku flitet se është i përfshirë Laert Haxhiu nuk mund të mos të të kujtohet e dashura e tij, Klea Gjata e cila gjithashtu është akuzuar si bashkëpunëtore në disa vrasje e atentate.
Fillisht përpara oficerëve të policisë gjyqësore Klea Gjata tha se ishte përfshirë pa dashur, por më tej e mori rrjedha e ngjarjeve dhe e kishte të pamundur të shkëputej fillimisht nga i dashuri i saj por edhe nga informacionet që ajo kishte arritur të mësonte duke qenë se ishte shumë e afërt, me Laertin të cilësuar tashmë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
(BalkanWeb)