Mbrëmjen e 20 korrikut qyteti i Memaliajt u trondit nga një atentat i trefishtë, i cili nuk kurseu as jetët e njerëzve të pafajshëm. Një atentat i ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, në qytetin e Memaliajt ku viktima mbetën Shyqo Kalemi, babai 74-vjeçar i Andrea Kalemit.

Fatkeqësisht plumbat i morën jetën kamerierit dhe klientit të lokalit, ndërkohë që një shtetas tjetër ka mbetur i plagosur dhe raportohet se është në gjendje kritike për jetën. Një grup hetimor i posaçëm është ngritur për zbardhjen e ngjarjes dhe sipas burimeve për BalkanWeb një nga pistat e hetimit është saga e vrasjeve të nisura në 2022, me ekzekutimin me bombë të Aleksandër Sadikajt dhe pas 6 muajve vrasjen e Edmond Papës në Selitë, përballë banesës së vëllait.

Krimet duket se janë ulur këmbëkryq në familjen Kalemi dhe Sadikaj, hakmarrja e tyre nuk po gjen paqe edhe pse janë marrë shumë jetë, pa u kursyer edhe të pafajshmit. Prishja e pazareve të drogës mes Aleksandër Sadikajt dhe Emond Papës, për një ngarkesë droge e cila humbi dhe shuma e madhe e parave që munguan nisën sagën e vrasjeve fillimisht të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, një ngjarje e cila tronditi vendit për shkak të dinamikës dhe mënyrës se si u ekzekutua i riu.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 11 qershor të vitit 2022 pranë zonës së TEG-ut. I riu sapo kishte lënë në banesë partneren e tij dhe ishte i vetëm në momentin që makina e tij shpërtheu dhe fillimisht iu dëmtuan të dyja këmbët, më tej ai u transportua në spital por nuk mundi tu bënte ballë plagëve të shumta që mori nga shpërthimi me tritol i cili asokohe u raportua se kishte qenë më shumë se 150 gram, çka do të thotë se atentatorët donin me patjetër eliminimin e tij.

Ekzaktësisht 6 muaj e 5 ditë nga ekzekutimi barbar i Aleksandër Sadikajt, të shtëna me armë u dëgjua mbrëmjen e 16 dhjetorit në zonën e Selitës. Biznesmeni sarandjot sapo ishte ulur pranë një lokali përball banesës së vëllait të tij, pasi kishte udhëtuar nga Saranda drejt kryeqytetit për një vizitë shëndetësore që do t’i kryente babait.

Mbi 7 plumba u derdhën drejt Edmond Papës, 6 prej të cilëve i përshkuan trupin dhe i morën jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, pa pasur asnjë shpresë që të nisej drejt spitalit. Momentet e fundit, Papa i kaloi në tentativë dhe përpjekje për të frenuar ekzekutorin ndaj të cilit tentoi të hidhte tavull, por karikatori i mbushur me fishekë u zbraz mbi të duke e lënë të vdekur në vend.

Pas disa kohësh hetime, komisariati numër 6 në kryeqytet i cili kishte ngritur një grup hetimor vuri në pranga Albano Velon teksa në kërkim u shpall Andrew Bode, të njohur si miq të Andrea Kalemit.

Por saga e vrasjeve duket se s’do të mbyllej me 2 vrasjet e para mes 2 fiseve, më 12 janar të këtij viti vëllai i Andrea Kalemit i shpëtoi një atentati teksa po udhëtonte me makinën tip Smart në zonën e nënkalimit në Selitë, ai mbeti i lënduar në këmbë. Një mjet tjetër po në lëvizje zbrazi karikatorin drejt mjetit të Zamir Kalemit, por fatmirësisht ai arriti ti shpëtoj vdekjes.

Teksa i fundit deri më tani është atentati i trefishtë i regjistruar në Memaliaj, i cili ende nuk ka autor dhe persona përgjegjës në pranga, por pista kryesore është ajo e hakmarrjes e cila nuk po kursen as mbi ata që s’janë të përfshirë.

(B.S/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb