Pedagogu Arjan Hamiti, shef i Sektorit të Infermierisë pranë Universitetit Luarasi, në podcastin EduVision në News24, i ka drejtuar një apel qytetarëve që të mos neglizhojnë bërjen e analizave, pasi përmes tyre çdokush mëson mbi gjendjen shëndetësore që ka.
“Çdo test laboratorik sot, shpëton jetë nesër”, tha doktor Hamiti. Ai vuri në dukje zhvillimet pozitive që ka pësuar shërbimi laboratorik në Shqipëri, veçanërisht pas viteve ’90, ku si rrjedhojë edhe të bashkëpunimeve ndërkombëtare, në Shqipëri u investua në pajisjet moderne laboratorike, përmes të cilave kryhen testet nga ato kompletet te më të detajuarat.
Në vijim, pedagogu Hamiti tha se studentët zgjedhin Universitetin Luarasi pasi që nga liçensimi në vitin 2003 për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies, është një nga më të mirët në vend. Doktor Hamiti ka vënë theksin jo vetëm në stafin akademik të këtij Universiteti, por edhe te programet studimore.
“Universiteti Luarasi ofron programe të konceptuara në praktikat më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare. Janë programe që mbështeten nga curriculat që krahasohen me ato të vendeve të BE-së”, tha Hamiti.
Duke u ndalur te Fakulteti i Shkencave Mjekësore në Universitetin Luarasi, Hamiti tha se ky fakultet ofron studime të integruara në ciklin e dytë në Stomatologji dhe Infermieri, sikundër ofron programe studimi në Bachelor në infermieri.
“Janë programe studimore të konceptuara bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe mund të krahasohen me programet më të mira të vendeve të BE, sikundër bazohen në një sërë silabuse moderne”, tha Hamiti.
Në vijim, pedagogu Hamiti tha se e veçanta në Universitetin Luarasi është ofrimi i bursave, jo vetëm për studentët e ekselencës, por edhe bursa sociale. Hamiti tha se kuotat e bursave përcaktohen nga Bordi, bazuar në dokumentacioni përkatës.
Duke u ndalur te bursat sociale, Hamiti tha se aplikanti duhet të ketë mesataren mbi 8.5, por gjithashtu janë edhe kriteret që kanë të bëjnë me aspektin e pamundësisë ekonomike për të ndjekur studimet. Kriter tjetër është kur aplikanti ka aftësi të kufizuara,ose kur ka persona familjarë që kanë statusin e invalidit.
Në këtë kuadër Hamiti tha se aplikanti në rastin e bursave sociale duhet të provojë përmes dokumentacionit që plotëson kriteret.
Duke folur për praktikat në laboratorë në Universitetin Luarasi, pedagogu Hamiti tha se ato janë një risi. “Ne kemi partneritet me klinika private, sikundër edhe me Spitalin Qendror Universitar (QSUT). Kemi bashkëpunime shumë të mira në kuadrin e praktikave të studentëve, ndërsa i mundësojmë studentëve aplikimet e praktikave qoftë në klinikat private ashtu edhe në QSUT. Ky është një standard shumë kualitativ, një avantazh për Universitetin Luarasi”, tha Hamiti.