Teksa duhen më pak se 7 ditë nga debutimi i ekipit tonë kuqezi ndaj Anglisë në “Wembley”, në sfidën e vlefshme për eleminatoret e Kupës së Botës 2026, ajo që është me më tepër rëndësi tani është forma e lojtarëve tanë dhe gjendja e tyre fizike, sidomos e lojtarëve që kanë kaluar periudha dëmtimi.
Një lajm i mirë erdhi nga Liverpool, teksa Armando Broja është rikthyer në fushë për Evertonin. Lojtari i Kombëtares shqiptare kaloi një periudhë jashtë fushës së blertë që zgjati dy muaj.
Aktivizimi i tij erdhi pikërisht në minutën e 79-të, ndërsa Evertoni po përballej me Uest Hem. Ndeshja ishte e vlefshme për Premier Ligë dhe përfundoi me barazim 1-1.
Broja do të jetë po ashtu në dispozicion të Silvinjos për ndeshjet e marsit. Trajneri brazilian i ka besuar një vend në listën e Kombëtares, pas disa muajve mungesë për shkak dëmtimi.Tashmë topi kalon tek tekniku Brazilian nëse do të vendosë të startojë me Brojën nga minuta e parë apo jo.
Ernest Muçi ka humbur rastin e artë që të bëhej përsëri një protagonist dhe hero për tifozerinë e Beshiktashit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka humbur një rast të pabesueshëm në pjesën e dytë të ndeshjes që skuadra e tij luante në transfertë ndaj Koniaspor.
Edhe pse në disavantazh numerik pas një kartoni të kuq që në pjesën e parë, Koniaspori gjeti avantazhin para pushimit të ndeshjes. Trajneri Solskjaer vendosi të aktivizonte Muçin në fillimin e pjesës së dytë dhe lojtari kishte shansin për të ndryshuar fatin e sfidës në minutën e 77-të, kur një pasim nga e djathta mbërriti te ai në shtyllën e dytë me portën bosh.
Por Muçi nuk u koordinua dhe tentoi të devijonte topin me gjoks në rrjetë, duke e çuar për fat të keq në duart e portierit kundërshtar, teksa vetë përfundoi i dëshpëruar në tokë, pas këtij rasti që edhe ai nuk e kuptonte se si e kishte humbur.
Një gabim që peshon shumë, duke llogaritur se ndeshja u mbyll me shifrat 1-0 për Koniaspor, edhe pse skuadra vendase u ndëshkua edhe me një tjetër karton të kuq.
Ndërkohë vjen suksesi i parë i Austin të Myrto Uzunit, e cila regjistroi një fitore të artë në transfertë ndaj Los Anxhelos FC. Sulmuesi shqiptar u aktivizua titullar, duke qëndruar në fushë gjatë gjithë duelit. Beratasi regjistroi një paraqitje dinjitoze, teksa u vlerësua me notën 6.9 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.
Uzuni fitoi 7 duele me kundërshtarët, si dhe regjistroi 1 gjuajtje në portë. Golin e vetëm të sfidës e shënoi mbrojtësi Guilherme Biro në minutën e 12-të.