Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar çështja e rindërtimit, duke u ndalur veçanrisht në Thumanë dhe Krujë, ku janë zbuluar jo vetëm familje që jetojnë në kontejnerë, por edhe si favorizohen kompanitë që fitojnë tenderat dhe rrjedhimisht miliona euro nga fondet e akorduara në emër të rindërtimit.
Në Thumanë të Krujës, tërmeti i nëntorit 2019 dëmtoi dy shkollat e rikonstuktuara pak javë para tërmetit. Askush nuk analizoi arsyet pse shkollat u dërrmuan edhe pse ishte ndërtesa të reja. Pa asnjë shpjegim ato u përfshinë në fondin e rindërtimit për objektet arsimore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Më 17 mars 2020, Fondi Shqiptar do të hapte thirrjen për minikonkursin me tenderin për “Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare dhe parashkollori Larushkë “Hajdar Hoxha” dhe Rindërtimi i Shkolles 9-vjeçare dhe Kopshti “Gjon Luka Luz me fond limit 199 milionë lekë ose 2 milionë euro në Bashkinë e Krujës.
Në garë do të merrnin pjesë mbi 20 kompani, por fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “Shijaku & Co 1 Rroku Konstruksion Tirane & Infrakonsult” me ofertë fituese 187 milionë lekë ose 1.87 milionë euro, i cili do të lidhte kontratën në gusht 2020 me FSHZH.
Kryetari i lëvizjes Bashkë Arlindi Qorri thekson se “nuk është fare për tu habitur, është lajm shumë i keq për ata që e pësojnë, lajm shumë i keq për buxhetin e shtetit që duhet të derdhë para për të rindërtuar shtëpitë e rrënuar, por është lajmi më i mirë i mundshëm për ata që bëjnë tendera, që japin lejet e ndërtimit apo organizatat kriminale që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në emër të ndonjë biznesmeni përfitojnë nga këto fondet e rindërtimit”.
Por ky nuk do të ishte i vetmi tender që do të përfitonin këto kompani pasi do të merrnin edhe fonde të tjera nga Rindërtimi, që lidhen me ndërtimin e pallateve të banimit.
Dy muaj pas lidhjes së kontratës për objektet arsimore, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të çelte tenderin Minikonkursi Nr. 11 për “Rindërtimi i njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për zonën e re për zhvillim Thumanë, Paketa B, Objektet 11, 12, 13, 14, njësia administrative Thumanë, Bashkia Krujë” me procedurë të kufizuar me fond limit 454 milionë lekë ose 4.5 milionë euro.
Me ofertë sa fondi limit do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive “Shijaku & Co 1 Rroku Konstruksion Tiranë” me vlerë 4.5 milionë euro.
Kompania “Co 1 Rroku Konstruksion Tiranë” është në pronësi të Jozef, Pranvera dhe Andreina Caushi ndërkohë që “Shijaku” shpk është në pronësi të Shpëtim, Bilal dhe Petrit Shijakut.
“Procesi i rindërtimit përdori një fatkeqësi natyrore duke mundësuar zhvatjen e parave publike në përfitim të një grushti kompanish u dizenjua që përfitimet e tenderave mos të kanalizoheshin në garën e tregut të gjërë por tek një grup kompanish të priviligjuara pranë qeverisë të përfitonin prandaj ishin diku tek 5 kompani që morën kotratat e majme te rindertimit pasi pati lirshmëri ligjore qeveria që ta kalonte nën ombrellën e fatkeqsisë”, shprehet eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Ndërsa Agron Haxhimali, kryetar i Institutit të Bashkive, thekson se një nga elementet që konsideroj të qënësishëm është fakti që grupe të ndryshme interesi kanë influencuar fuqishëm në nivel qendror dhe lokal”.
Dyshimet e SPAK për firmën Shijaku
Në dosjen hetimore të SPAK për ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj evidentohet se kompania “Shijaku” shpk është një prej nënkontraktorëve që ka fituar kontrata me dhjetra miliona euro për ndërtimin e inceneratorëve.
Sipas informacioneve të publikuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar rezultoi se kompania e Shpëtim Shijakut ka përfituar mbi 100 transferta me vlerë rreth 1 milion euro nga kompanitë me pronarë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin deri në vitin 2021.
Por Prokuroria e Posacme ka dyshime për lidhjet mes këtyre biznesmenëve, duke aluduar se “Shijaku” shpk në pronësi të Shpëtim, Bilal dhe Petrit Shijakut në të paktën një rast, duhet të jetë përdorur si mbulim për përfitimet e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për aferën e inceneratorëve.
Dy rastet e evidentuara nga materiali hetimor i SPAK lidhen me shitjen e skrapit dhe çelikut të kompanisë ish-Termocentrali i Fierit dhe rasti tjetër me impiantin e pastrimit në Shkumbin.
Me ardhjen e Partisë Socialistë në pushtet në vitin 2013, Arben Ahmetaj do të emërohej ministër për Zhvillimin e Sipërmarrjes, duke patur në ngarkim process likujdimin e kompanisë “Petrol Alba”. Në këtë rast Ahmetaj emëron likujidator të saj Artan Gjokaj, i cili sipas SPAK është miku i tij i ngushtë dhe me fillimin e likujdimit i propozon ish ministrit shitjen e skrapit dhe celikut me vlerë 1 milion euro. SPAK thotë se “pavarësisht se palë kontraktore në këtë marrëdhënie shfaqet shoqëria “Shijaku” shpk në fakt pas kësaj shoqërie, qëndrojnë pikërisht miqtë e shtetasit Arben Ahmetaj. Ky konkluzion lexohet nga provat e administruara.”