TIRANA

Pesë persona janë arrestuar në orët e fundit në Tiranë për vepra të ndryshme penale.

Një prej tyre, 32-vjeçari S.M, ndërtoi një rrugë të improvizuar me çakull para servisit të tij të makinave për të mundësuar daljen në aksin kryesor.
Ai ndërhyu te kanali kullues dhe rrezikonte jetën e njerëzve e mjedisit me veprimin e tij.

Nga ana tjetër të tjerët janë arrestuar një 34-vjeçar për plagosje me thikë, një i ri 23-vjecar për drogë, një tjetër pasi ka goditur me sende të forta një person si dhe një shofer pasi po voziste i dehur.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Tiranë
Vihen në pranga 5 shtetas dhe procedohet një tjetër shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Vorë, kanë bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” të shtetasit S. M., 32 vjeç, , i  dënuar më parë për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, banues në fshatin Bërxullë, pasi në hyrje të biznesit të tij(servis makinash), ka ndërhyrë në kanalin kullues duke shtruar çakull para biznesit të tij, me qëllim provizimin e një rruge për të dalë në aksin kryesor, ç’ka përbënte rrezik për jetën e njerëzve dhe mjedisit rrethues.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” i shtetasit të shpallur në kërkim G. V., 34 vjeç, pasi me datë 07.09.2021, ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin G. B.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Ç, 27 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit” i pranishëm në vendin ku u konstatua shtetasi A. B.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. T., 34 vjeç, pasi për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin B. M, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Ll., 40 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb