Arti dhe kultura e Japonisë do të mund të përjetohen në vendin tonë nga datat 9 deri më 15 Tetor përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Nga festival filmi, workshop mbi kuzhinën dhe teknikat e origamit, ceremoni çaji, dhe një turne karateje dhe judoje, Java Kulturore Japoneze do të ofroje diçka për të gjithë ata që kërkojnë një përvojë autentike dhe të pasur.
Aktivitetet do të çelen me një workshop mbi kulinarinë, ku një shef i mirënjohur do të përgatisë pjata tipike të kulturës japoneze. Ky event është një mundësi shumë e mirë për të thelluar njohuritë tuaja mbi teknikat dhe përbërësit unikë të kësaj kuzhine.
Në datat 9,10,11,14 dhe 15 Tetor, ora 19:00, në kinema Maks Velo në Tiranë, do të mbahet Festivali i filmit japonez, që do të sjellë për publikun 5 filma të animuar si: Ride Your Wave, 5 Centimeters për Second, Time of EVE the Movie, The Wonderland, The Place Promised in Our Early Days.
Ndërsa në datën 12 tetor, në Universitetin Politeknik të Tiranës, do të organizohet ceremonia e çajit. Gjatë këtij aktiviteti do të keni mundësinë të vëzhgoni shtatë mjeshtra të ceremonisë së çajit në veprim, të shijoni çajin tradicional dhe të njiheni me ritualet e tij të veçanta. Gjithashtu mjeshtrat e çajit Noriko Motoki, Hiroko Mitome, Yoshino Fujiu, Misuzu Nishida, Reiko Nobari, Hitomi Ishizaka dhe Noriko Akiyama, do ti përgjigjen edhe pyetjeve apo kurioziteteve të të pranishmëve.
Më 13 tetor, ora: 10:30 – 12:00, në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Femijë – Tiranë do të organizohet Workshop-i, Arti magjik dhe mijëvjeçar i origamit. Ky aktivitet është një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar artin e palosjes së letrës, një traditë që ka ekzistuar për shekuj me rradhë dhe që vazhdon të frymëzojë njerëzit në të gjithë botën.
Do të jetë një simpozium që do të mbyllë Javën Kulturore Japoneze më datë 15 Tetor. Ky simpozium që do të mbahet në Universitetin Politeknik të Tiranës, ofron informacione nga përvoja reale të atyre që kanë qenë ose kanë studiuar në Japoni. Qëllimi është të kuptojmë dhe njohim Japoninë përtej stereotipeve dhe të eksplorojmë mundësitë e studimeve atje.
Pas Japonisë, do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të sjellin në vendin tonë ngjarje kulturore nga më të ndryshmet.
(BalkanWeb)