Federata ka ndarë sot licencat e reja për drejtorët sportiv të cilët nisën kursin disa ditë më parë dhe një prej të emëruarve ishte Olsi Rama. I vëllai i kryeministrit prej kohësh është ngarkuar me këtë detyre te klubi i Partizanit, por sot zyrtarisht ka marrë ‘lejen’ edhe nga federata.

Në një intervistë për ‘supersport’ Olsi ka prekur shumë çështje që së fundmi kanë rrethuar klubin e kuq. Nga titulli kampion i sezonit 2015-2016 te rikthimi i Starovës e deri te merkato e janarit.

Për licencën?

“Kjo është liçenca, por zyrtarizimi është bërë që më përpara”.

Në lidhje me pozicionin e trajnerit Starova?

“Ishte vendimi i të gjithë drejtuesve për të krijuar vazhdimësi të punës. Ishte një sinjal për t’i treguar skuadrës që ka një plan dhe fatin e trajnerëve e vendosin drejtuesit. Starova ka qenë përherë pjesë e klubit dhe do të jetë në krye të stolit edhe për ndeshjen me Vllazninë”.

Për merkaton?

“Nuk largohet asnjeri. Merkatoja bëhet për t’u përmirësuar. Senatorët do të vijojnë të jenë pjesë e Partizanit. Merkatoja e Janarit është merkato riparimesh”.

Titulli i 2016-ës?

“Unë e thashë që kemi bërë një kërkesë për të qenë brenda afateve ligjore, për të njohur të drejtën e Partizanit. Ne presim vendimin e KAS-it, nuk ka asnjë problem”.

Për Luçiano Moxhin?

“Moggi do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit dhe emërimi im nuk e përjashton atë”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: