SHBA janë të zemëruara me ndërhyrjen e paralajmëruar të Turqisë në Sirinë veriore, thuhet. Por ajo që dëshiron Erdogan, nuk është kundër interesit të Donald Trump, është i mendimit Miodrag Soric

Presidenti Trump nuk e ka fshehur ndonjëherë, se do që të kthejë në shtëpi shumë ushtarë amerikanë të stacionuar në botë. Tani Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur, se do të tërheqë një pjesë të madhe të ushtarëve të saj nga Siria Veriore. Me këtë hap Uashingtoni i lë në baltë kurdët, aleatët e tij të luftës kundër islamistëve. Trump i referohet vullnetit të zgjedhësve: Amerikanët janë të lodhur nga lufta. Ata nuk shikojnë ndonjë sukses të madh në konfliktet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Le ta vrasin mendjen të tjerët për këtë!

Turqi: Era ka ndryshuar drejtim

Për shembull turqit, që janë pak para marshimit në Sirinë e Veriut. Presidenti Erdogan ndodhet prej muajsh nën presion. Partia e tij ka pësuar humbje të ndjeshme në zgjedhjet lokale, edhe sepse kundërshtarët e tij premtuan se do të zgjidhin „problemin e refugjatëve”. Katër milionë sirianë jetojnë ndërkohë në Turqi. Pas kaq vitesh shumë prej tyre kanë ndërtuar një jetë të tyren në Turqi. Shumë fëmijë ndërkohë vizitojnë shkollat turke, familjet marrin përkujdesin shëndetësor dhe social. Ankara ka bërë shumë në këtë drejtim. Por ndërkohë po fryn një erë e re. Qindra mijëra sirianë po kthehen në konkurrencë në tregun e punës për punëtorët turq. Sidomos në kohë të vështira aktualisht për ekonominë turke, kjo nxit konflikte. Politikanët që duan shpejt të sigurojnë mbështetje në elektorat kundrejt kundërshtarëve, kërkojnë kthimin e sirianëve në vendin e tyre.

Erdogan është njëri prej tyre. Tërheqja e amerikanëve është në këtë kuptim një dhuratë e mirëpritur. Tani ai ka dorë të lirë që të ngrejë „zonat e sigurisë” në Veriun e Sirisë për të zhvendosur aty refugjatët sirianë. Në të njëjtën kohë ushtria turke do të veprojë kundër luftëtarëve kurdë të YPG-së, që deri më tani kanë luajtur rol në këtë zonë. Pas marshimit influenca politike e Turqisë do të rritet në të gjithë rajonin. Kur të negociohet për të ardhmen e rendit të paqes për Sirinë, Erdogan do të kërkojë që të thotë fjalën e tij krahas rusëve dhe iranianëve.

Kjo politikë e Trumpit dhe Erdoganit bie në kurriz të atyre që janë më të dobtit – refugjatët. Sepse ҫfarë mund të bëjnë ata në një rajon të huaj edhe për vetë ata, Sirinë Veriore, në një zonë të shkatërruar nga lufta? Dhe si do të jetojnë ata në zona gjysmë të shkatërruara dhe pa infrastrukturë? Si do të sillen këta refugjatë atje, me dhunë e kundër vullnetit të tyre? Nëse planet e Erdoganit do të jetësohen, atëherë kërcënon një katastrofë e re në rajon.

Më mirë të mbahen larg se të integohen refugjatët

Bashkëpërgjegjës për situatën e refugjatëve në rajon janë shumë aktorë: pushtetmbajtësit autoritarë si presidenti Asad, apo Vladimir Putin dhe Rohani. Por edhe krerët europianë, si për shembull në Poloni apo Hungari që nuk pranojnë të marrin refugjatë, apo nuk duan të shohin aty ku vuajnë të tjerët. Por përgjegjësi nuk kanë vetëm krerët e qeverive nga Europa, të cilët i ofrojnë Erdoganit miliarda të tjera vetëm që ai t’ua presë rrugën refugjatëve që duan të vijnë në Europë. Sepse për vendet europiane ky variant është disa herë më i lirë, se sa të integrojnë qindra mijëra sirianë në shoqëritë e mirëqenies. Një pazar i pastër politik. Politikë e pushtetit pra në vend të moralit. Politikë realiste, siҫ e quajnë./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb