Donald Trump është zyrtarisht presidenti i 47 i Amerikës. Si president i SHBA, përpara tij janë shumë probleme të mprehta. Ai mund të përballet me dy luftëra (Ukrainë e në Lindjen e Mesme), ndërsa interesant do të jetë qasja e tij ndaj Europës dhe Kinës.
Vendimmarrjet e tij kanë qenë shpesh të paparashikueshme. Por, çfarë mund të ndodhë me raportet e SHBA në lidhje me këto problematika, nën presidencën e Trump?
Ukraina – Trump ka premtuar se do ta shtyjë Zelenskyn që të arrijë një marrëveshje me Putinin, një marrëveshje që mund të përfshijë një humbje territori. Ukraina ka frikë se ai do të reduktojë mbështetjen ushtarake dhe financiare të SHBA; varet shumë sesa shpejt mund të ndodhë diçka dhe çfarë mund të bëjë Evropa – nëse ka ndonjë gjë për të bërë – për të mbushur boshllëkun. Por nuk është e qartë se sa do të dëshironte Putin një marrëveshje. Nëse Rusia vazhdon të luftojë, Trump mund të mos dëshirojë që Ukraina të shihet teksa humb, duke qenë ai president i Amerikës. Ai gjithashtu duket më pak i frikësuar nga përshkallëzimi i luftës sesa Biden. Disa analistë nuk përjashtojnë një rritje të mbështetjes së SHBA.
Lindja e Mesme – Trump mund t’i japë Netanyahut liri më të madhe në atë sesi Izraeli e zhvillon luftën e tij kundër Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, madje duke mbështetur potencialisht sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane. Ai gjithashtu mund të mbështesë një marrëveshje më të gjerë të Lindjes së Mesme, që përfshin Izraelin dhe Arabinë Saudite.
Kina – Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa masive tregtare për mallrat kineze që vijnë në SHBA. Kjo mund të shkaktojë një luftë tregtare duke dëmtuar ekonominë botërore. Ai mund ta shtyjë Evropën të shkëputet më shumë nga ekonomia e Kinës. Por a do të dërgonte ai forcat amerikane për të mbrojtur Tajvanin?
Evropa – Trump do të vazhdojë ta shtyjë Evropën të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj. Ai mund të vendosë tarifa tregtare për mallrat evropiane që vijnë në SHBA. Disa analistë thonë se kjo mund të veprojë si një katalizator, duke e detyruar Evropën të bashkohet për shpenzimet e mbrojtjes, reformën ekonomike dhe politikën me Kinën.
(Balkanweb)