Gjatë interpelancës në Parlament, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka folur edhe për projektet për ruajtjen dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit për vitin 2025.

“Investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë të jenë në fokus edhe në vitin 2025, ku vetëm falë buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejmë Investimin infrastrukturor për EKO-Park-Ulzën, duke nxjerrë në dritë një tjetër perlë të natyrës dhe të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në veri; Por duke shfrytëzuar edhe gjithë pjesën historike duke e kryer edhe muzealizimin e hidrocentralit të Ulëzës për të gjithë kureshtarët. Ky është vizioni që i shndërron këto zona të vizitueshme, të pëlqyeshme dhe i nxjerr nga errësira. Fillon po brenda vitit 2025 ndërtimi i një Qendre Multifunksionale dhe edukimi natyror së bashku me muzeun edukativ të natyrës në Korçë, sikurse dhe një tjetër të tillë në Drilon, që ju nxis ta vizitoni se Parku Natyror i Drilon-Tushemishtit ka dalë në dritë. Unë e di që shkoni, po këtë keni ju, bukuritë që ne ndërtojmë i shijoni e i gëzoni, por kur vini këtu mbani ‘koburen e sharjeve në brez’ njësoj siç bëtë më Parkun e Liqenit. Por gjithashtu do të ecim përpara me ndërtimin e Qendrës Multifuksionale në Vjosë, projekt që erdhi pas një konkursi ndërkombëtar dhe i projektuar me një stacion kryesor në Tepelenë dhe dy stacione plotësuese në Përmet dhe në Vlorë, ku pikërisht për shkak të gjatësisë dhe sipërfaqes mbi 12 mijë hektarë të Parkut Kombëtar, synojmë të krijojmë një tjetër atraksion ekoturistik duke promovuar vlerat e biodiversitetit të lumit të fundit të egër në Europë, i cili gjatë dy viteve të fundit është kthyer në pasaportë të promovimit ndërkombëtar për vendin. Dhe jo më larg se një javë më parë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të krijuar Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke qenë se është një park që kalon në katër qarqe të ndryshme, nuk mund ta linim pa një mirëadministrim të dedikuar!”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit foli edhe për vizionin e turizmit të qëndrueshëm ku zonat e mbrojtura janë vizituar nga 5,3 milionë vizitorë gjatë periudhës janar-nëntor 2024, rreth 1 milionë më shumë se një vit më parë.

“Synimi ynë është turizmi i qëndrueshëm, turizmi elitar, që mbron mjedisin, kujdeset për natyrën dhe i lë brezave një Shqipëri të begatë, krejt e kundërta e batërdisë që ju propozoni dhe që fatkeqësisht e keni provuar që e arrini rregullisht! Zonat e mbrojtura mbartin brenda tyre histori njerëzore dhe trashegimi natyrore, ky është fakt, është pasuri, dhe ne duhet ta mbrojmë jo duke dëbuar njerëzit nga fshatrat e duke i shtyrë të gjithë drejt Tiranës, qytetit apo punësimit të huaj. Por duke i orientuar drejt turizmit dhe agroturizmit, drejt vizionit te Shqipërisë 2030. Për këtë jemi votuar, e për këtë do të votohemi sërish edhe në 11 maj, e mbi të gjitha pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor, përkundër shkretëtirës që ju propozoni!”, tha ministrja Kumbaro.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: