Emisioni investigativ Vetting në News24

Mëngjesin e 17 shtatori 2020, Bujar Çela, vëllai i personit më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çelës, u ekzekutua me 21 plumba nga dy persona të maskuar teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në fshatin Bradashesh të Elbasanit.

Por hetimet për vrasjen e familjarit të të shumëkërkuarit, nxorën se autor ishte pikërisht Nuredin Dumani. Ekzekutimi i Bujar Çelës ishte një mesazh për Talo Çelën nga Nuredin Dumani, dikur dy miq, por tashmë ishin bërë armiq.

Autorësia e Nuredin Dumanit u verifikua nga Policia nga shenja e gishtit te paratë që pagoi punonjësin e një pike karburanti.

Në dëshminë e tij, Dumani ka treguar se shkak për vrasjen e Bujarit, ishte bërë vrasja e mikut të tij Klevis Kapllani, për të cilën dyshohej se ishte kryer nga Talo Çela dhe vëllezërit Manahasa.

Dumani rrëfeu se i pari ka qenë Enver Diva, i cili ka qëlluar mbi Bujarin, por ai ishte ende gjallë, në këtë moment afrohet Dumani i cili nxjerr pistoletën të cilën ia kishte bërë vetë dhuratë Talo Çela. Por ajo nuk i ka shkrepur, prandaj ai ka kërkuar që Besmir Xhixha të zbriste nga makina dhe ta eliminonte.Më pas ata janë larguar drejt Fushë Krujës, ku kanë djegur makinën, ndërsa armët i kishin hedhur në një kanal në rrugën dytë në Plepa në Durrës.

– Më 21 tetor 2020, Gridi Lena dhe Altin Hoxha kishin vënë maska silikon kur hynë me një armë në dorë për të qëlluar biznesmenin, Andon Dhima. Por ky i fundit shpëtoi pasi u fut shpejt në ashensor, ndërsa autorët u larguan pa rënë në sy, duke dalë nga pallati. Pas lanë maskat që nuk i shpëtuan dot nga prangat dhe dënimi për krimin, që fatmirësisht mbeti në tentativ.

Qershori i vitit 2023, shënoi disa grabitje me maskat e silikonit Të vetëdijshëm se po filmoheshin nga kamera sigurie, autorët nuk shqetësoheshin aspak pasi ishin të kamufluar me maska silikoni. Ndaj me qetësi hapën automjetin “Range Rover” dhe u larguan.

Skemën e kishte mësuar edhe 26-vjeçari Ragip Gila. Më 6 dhjetor, 2023, Policia zbuloi një tjetër depo armësh në Shkodër, e cila ishte e kamufluar në banesën e të riut. Atje, Policia gjeti shtatë jelekë antiplumb, dy palë doreza dhe sigurisht maska e paruke.

Padyshim që nuk mund të mungonin! Por nëse ishin përdorur ndonjëherë në aksion, këtë pyetje nuk e ka zbardhur ende as Policia.

Në 1 Tetor të vitin 2019, qyteti i Lushnjes u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, 35-vjeçari Besmir Hida, anëtar i bandës së Aldo Bares u ekzekutua me breshëri automatiku teksa pinte kafen e mëngjesit në katin e dytë të një lokali në lagjen “Gafur Muça”.

Autorët e krimit kishin vendosur maska silikoni e cila fshehu identitetin e tyre për të realizuar ngjarjen kriminale ndaj biznesmenit. Besmir Hida nuk ishte i panjohur për policinë.

Pak kohë para se ta vrisnin, 35-vjeçari i kishte shpëtuar një atentati me tritol. Hida kishte parkuar makinën e tij, përballë banesës, ndërkohë që shpërthimi i fuqishëm kishte ndodhur kur pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë në gjumë. Në atë kohë ai deklaroi në polici se nuk kishte probleme me asnjë.

Ndërkohë, Hida njihet po ashtu si daja i Zamir Latifit, i cili u ekzekutua nga persona të maskuar me maska silikoni rreth dy vite më parë në qendër të Lushnjës. Viktimë në këtë ngjarje mbeti dhe Jurgen Hoxha.

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha u ekzekutuan në qendër të Lushnjes në 11 tetor të vitit të vitit 2017, ndërsa autorët e dyshuar ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili.

Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, u arrestua në Janinë të Greqisë në maj të vitit 2013 gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë greke dhe shqiptare.

32-vjeçari Laert Haxhiu u ekstradua në Shqipëri në 3 korrik 2024 ku po vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

Orgest Bilbili, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht ndodhet në burgun e Drenovës në Korçë. Rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Atij i është komunikuar masa e sigurisë, për vrasjen e Besmir Hidës.

Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me njëmbëdhjetë vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.

– Sesi mund të përdorej më së miri, maska e pamë më së miri në aksion. Panajot Xhaja, i riu shqiptar me origjinë nga Dimali, i arrestuar në Mal të Zi ishte maskuar si një murgeshë për të finalizuar vrasjen e dy mafiozëve grekë Yannis Skaftouros në maj 2022 në Dervenochoria dhe Vassilis Roubetis në qershor 2023 në Korydallos. Edhe pse arriti të fshihej për disa muaj, maska nuk e mbrojti dot përgjithmonë të fshehur identitetin e tij. Panajot Xhaja ishte frymëzuar nga personazhet e filmit “TOËN”, ku personazhet gjatë grabitjes së bankës ishin të veshur si murgesha. Kjo gjë vërtetohet nga postimet në rrjetet sociale të 24-vjecarit ku bie në sy një “murgeshë” vrasëse.

7 mars 2024, rikthimin e “MASKËS” e dëshmuam në Vlorë, në depon e armëve që Policia gjeti në Babicë. Atje kishte një arsenal armësh zjarri, nga stilolapsat pistoletë deri tek snajperat. Mjaft të zgjidhje. Por ajo që nuk mungonte gjithashtu ishte dhe një maskë. Fytyra e një të moshuari ishte ‘gdhendur’ në silikon, e shumë shpejt mund të qarkullonte lirisht nëpër Vlorë ose gjetkë. Kush do të dyshonte?

Në 30 gusht të këtij viti në Shkodër një person i maskuar ekzekutoi me armë zjarri 36-vjeçarin Elis Rroshkodoli teksa ky i fundit po konsumonte kafen në një lokal. Grupi hetimor dyshon se ekzekutorët janë vrasës me pagesë dhe se pas vrasjes fshihen porositës të tjerë. Rroshkodoli, një person me precedent të mëparshëm kriminal, u vra më 30 gusht me breshëri plumbash teksa ishte ulur në një lokal.

Në momentin kur është qëlluar 36-vjeçari, në lokal kanë qenë edhe tre persona të tjerë, pronari i lokalit dhe dy klientë. Një nga personat e marrë në pyetje ka deklaruar se 36-vjeçari ka qenë vetëm në momentin kur është qëlluar. Nga dëshmia e personave të marrë në pyetje është zbardhur edhe dinamika e ngjarjes. Sipas dëshmive, autori i maskuar ka mbërritur me një “Benz” ngjyrë gri, ka ndaluar para lokalit dhe ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj të riut. Viktima ka marrë katërmbëdhjetë plumba në trup nga tetëmbëdhjetë gëzhoja që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja humb gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat. Viktima 36-vjeç nuk është emër i panjohur për blutë në Shkodër, ndërsa njihej si person tejet problematik brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas. Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. Shtatë ditë pas vrasjes së Elis Rroshkodoli, në Mullet të Tiranës u zbulua një garazh, i cili shërbente si baza e grupit të vrasësve me pagesë për të fshehur makinat. Në kuadër të operacionit të koduar ‘Fjalëkryqi”, policia njoftoi sot (6 shtator 2024) se ka arrestuar Xhulio Malon, 26 vjeç pasi dyshohet se siguroi kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen, ndërsa janë shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorët e tij të identifikuar, të dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë nuk dihet ende se kush është porositës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb