“Iku sa hap e mbyll sytë” është shprehja që dëgjon më së shumti në takime njerëzish,për vitin që po lemë pas.  I tillë shkoi ky vit edhe për redaksinë e “BalkanWeb”, ditë me intensitet, orë të gjata pune, lajme të gëzueshme por në shumë prej tyre edhe jemi trishtuar.

Por cilët janë lajmet më të klikuara gjatë këti viti? Lexuesit e agjencisë së lajmeve “BalkanWeb” kanë qenë të vëmendshëm ndaj ngjarjeve kryesore në vend, por dhe jashtë Shqipërisë. Në një grafik të bazuar në statistikat e ‘Google analytics’ ju sjellim lajmet më të klikuara përgjatë vitit.

Edhe pse duket se politika zë një vend kryesor në media, atë televizive, të shtypur apo online, lexuesit duket se janë ende më të tërhequr nga lajmet e kronikës së zezë. Vrasjet e bujshme të ndodhura gjatë këtij viti rezultojnë të jenë ndër lajmet më të klikuara në “BalkanWeb” . Protesta e studentëve e nisur ditët e para të dhjetorit, kryeson renditjen e lajmeve më të klikuara.

Ndërkohë me shprehjen se “ lajmi i keq është lajm i mirë” për ne të medias, urojmë që në 2019 të na duhet të shkruajmë vërtet për më shumë lajme të gëzueshme, e pozitive për vendin.

Lajmet më të lexuara gjatë 2018:

Skadon ultimatumi, studentët 3 vatra protestash në Tiranë Ora 16:00 shënoi përfundimin e ultimatumit të caktuar nga studentët për qeverinë. Në ditën e shtatë të protestës së tyre, para Ministrisë së Arsimit, studentët u shprehën të vendosur se nuk do të dialogojnë me kryeministrin Rama, por kërkuan prej këtij të fundit plotësimin e kërkesave të tyre.

Vrasja në Bllok/ Çfarë ndodhi në lokal, zbardhet dinamika e krimit Një person vdiq dhe 2 të tjerë u plagosën mbrëmë në një lokal në ish-bllok. Viktimë e ngjarjes së djeshme është Fabian Gaxha ndërsa i plagosur ka mbetur Ervis Martinaj, biznesmen i njohur i pikave të basteve si edhe Eljon Hate, të cilët kanë qenë së bashku në lokal.

Bëhuni gati për ndryshime në shkollë! Udhëzimi i ri i MAS: Nga 1 shkurti orar i ri mësimesh “Tri lëndë në gjashtë orë”, kështu quhet nisma e re e Ministrisë së Arsimit që do të sjellë një revolucion në shkolla dhe mënyrën tradicionale të mësimit.

Shenja paralajmëruese të kancerit të zorrës së trashë që nuk duhet t’i injoroni. Profesionistët mjekësorë shpesh i referohen kancerit kolorektal, i cili përfshin kancerin e zorrës së trashë që ndikon në zorrët e mëdha dhe kancerin e zorrës së trashë që ndikon në pjesën e poshtme të zorrëve të mëdha.

Zbulohet fotoja, ja kush është viktima e ngjarjes në Bllok Fabian Gaxha është 28-vjeçari që mbeti i vrarë mbrëmjen e së enjtes në një lokal në ish-Bllok, ku u plagosën Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hate, 28 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. “BalkanWeb” sjell foton e të riut që mbeti i vrarë gjatë konfliktit të armatosur ku “mollë sherri” duket se është bërë këngëtarja e njohur Elvana Gjata.

LISTA/ Rama prezanton qeverinë e re, Braçe zv.kryeministër Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Asamblenë Kombëtare ndryshimet në qeveri. Janë 8 ministra të rinj në kabinet, ndërkohë që Rama ka vendosur të marrë pranë edhe Erion Braçen, i cili do të jetë zëvendëskryeministër në vend të Senida Mesit.

U paraqit si studente, Xhunga përzë nga studio juristen e MASR. Pas lidhjes me “Skype” në emisionin “ Dritare me Rudinën”, ish-zv.ministri i Arsimit , Taulant Muka ka zbuluar se një nga të ftuarat në studio, e prezantuar si studente, punon juriste pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.Komentin e Mukës e lexoi, edhe drejtuesja e emisionit, gazetarja Rudina Xhunga, duke sjellë edhe debate në studio deri në largimin e juristes.

Shkundet Shqipëria, tërmeti i fuqishëm 5.1 ballë trondit vendin Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Shqipërinë pasditen e sotme. Rreth orës 5 e 35 minuta, lëkundje të forta u ndjenë në të gjithë vendin. Sipas raportimeve të deritanishme, tërmeti ishte me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter. Është ndjerë dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Bosnjë.

Masakër në Mat, 51-vjeçari vret me automatik 3 punonjës të bashkisë Një masakër e vërtetë në Mat. Tre persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, të gjithë punonjës të bashkisë në krye të detyrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb