Pedagogë, studentë të Fakultetit të Ekonomikut, por edhe prindër, kanë dalë në protestë, duke dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e kaluar, ku një grup të rinjsh dhunuan disa studentë.

Të mbledhur në shenjë proteste para fakultetit, ata bëjnë thirrje për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të dhunës. Pedagogu Rerart Prifti tha se situata ka degraduar deri në pikën, sa të thonë “më jep notën, se të çaj gojën”.

“Ne jemi njerëz të penës, jo të pistoletës. Jemi pak a shumë në situatën “më jep notën, se të çaj gojën”. Kjo është një çështje e shtetit, jo thjesht e institucioneve. Siguria në institucione është zero.

Studentët kanë qenë viti i tretë Bachelor, ndërsa ata horrat kanë qenë moshë më të madhe. Ata nuk e kanë nisur fare fakultetin. Kjo është një situatë banale.
Organizimi i sotëm ishte spontan dhe unë mendoj se duhet të vazhdojë, derisa të dalin horrat, sepse gjashtë vajza rrinë aty, pasi kanë frikë të dalin. Vajzat fatmirësisht nuk kanë rënë pre e dhunës”, tha pedagogu Prifti.

Ndërsa gazetarja Dorjana Bezat tha se “Në lidhje me ngjarjen nuk ka pasur asnjë denoncim apo kallëzim në polici, por Dekani i këtij fakulteti ka telefonuar policinë, duke i vënë në dijeni për ngjarjen. Patrulla e policisë ka marrë dëshminë e atyre që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen, por është bërë këqyrja e kamerave të sigurisë në sheshin “Demokracia”, aty ku ka ndodhur ngjarja”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb